Bashkimi Europian shpreh “shqetësim serioz” për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, për të miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë. Kjo në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
BE-ja përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, si dhe iu bën thirrje të gjitha partive, të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën, vuri në dukje zëdhënësi i Unionit, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Më tej, shtoi se “është e rëndësishme që të gjithë kandidatët e zgjedhur të jenë në gjendje t’i marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës”.
KQZ-ja i miratoi më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, por jo rezultatet për Listën Serbe.
Moskonfirmimi i nëntë anëtarëve të Listës Serbe në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës u dënua ashpër nga vetë partia e po ashtu, nga Beogradi zyrtar.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan pro konfirmimit të rezultateve, dy nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.
Një ditë më parë, Lista Serbe, parti e cila mbështetet nga Beogradi, paraqiti një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me vendimin e KQZ-së.
Lista Serbe e përshkroi vendimin e fundit, si “të paligjshëm dhe diskriminues”, duke thënë se ai anulonte më shumë se 42 mijë vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar.
Në ato zgjedhje, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë karriget e rezervuara për komunitetin serb.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë tha se po i monitoron nga afër zhvillimet dhe bëri thirrje për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare zgjedhore.
Ne bëjmë thirrje për publikim transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve të zgjedhjeve, si një mjet për të patur siguri ligjore e trajtim të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor, deklaroi OSBE-ja.
Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti fitoi 51.10% të votave, ose 57 vende në Parlamentin e Kosovës.