Showbiz

Shuhet kompozitori i shquar shqiptar, Avni Mula

Shuhet Avni Mula, kompozitori i shquar, artisti i popullit dhe nderi i kombit ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur sopranoja me famë ndërkombëtare, Inva Mula pak momente më parë.

“Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë! Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë. Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020”- shkruan ajo në një deklaratë në rrjetin social Facebook.

Avni Mula lindi më 4 janar të vitit 1928 në Gjakovë, Kosovë, është një kompozitor i shquar shqiptar. Avniu u martua me sopranon ruse Nina Mula me të cilën pati 2 vajza, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, ylli i muzikës klasike shqiptare.

Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.

Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.

Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i Lumturisë”.