Elliot Page ka folur hapur për përvojën e tij në filmin e ri të Christopher Nolan, “The Odyssey”, duke pranuar se roli i tij e vendosi përballë një përgjegjësie të madhe artistike.
Në një intervistë për emisionin “The Daily Show”, aktori zbuloi se fillimisht u ndje i frikësuar nga pesha që mbante personazhi i Sinonit në histori, edhe pse ai nuk është ndër figurat kryesore të veprës së Homerit.
Page, i cili rikthehet në bashkëpunim me Christopher Nolan pas suksesit të “Inception”, tregoi se zhvilloi biseda të gjata me regjisorin për të kuptuar më mirë mënyrën se si duhej ta ndërtonte personazhin.
Sipas tij, Sinoni nuk është thjesht një figurë dytësore, por përfaqëson ndërgjegjen morale të rrëfimit dhe pasqyron pasojat që lufta, dhuna dhe brutaliteti lënë te njerëzit.
Aktori pranoi se puna me një regjisor si Nolan, i njohur për standardet e larta dhe vizionin e tij të qartë artistik, solli një ndjenjë të vazhdueshme presioni.
Ndjeva një lloj frike, por ishte një frikë e mirë. Më shtyu të jepja më të mirën nga vetja
-u shpreh ai.
Page foli edhe për sfidat fizike që shoqëruan realizimin e filmit. Xhirimet u zhvilluan në gjashtë shtete të ndryshme, me një ekip të madh produksioni dhe përdorim të gjerë të efekteve praktike, karakteristikë e filmave të Nolan.
Sipas aktorit, kushtet e motit dhe temperaturat ekstreme ishin ndër vështirësitë më të mëdha gjatë realizimit të projektit, por ai theksoi se e gjithë përvoja ia vlejti.
“The Odyssey”, një nga projektet më ambicioze të Christopher Nolan, pritet me interes të madh nga publiku dhe kritika, ndërsa në kastin e tij marrin pjesë disa nga emrat më të njohur të kinemasë botërore.