E hëna nisi me një mesazh nga qeveria për Teatrin e ri pas trazirave të krijuara ditën e djeshme gjatë protestës në hyrje të pedonales.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar planin e projektit të Teatrit të ri që do të ndërtohet duke theksuar se kur ky projekt të ketë përfunduar do të ketë pëlqimin e të gjithëve.
Mesazhi i Plotë i Kryeministrit:
“MIRËMËNGJES, me projekt-idenë e Teatrit të Ri Kombëtar, konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels.
Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje…
Përvoja na mësoi se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltuara e masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetra e dhjetra vite, do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt”