Ndonëse shpesh nuk i vëmë re, hormonët janë “dirigjentët” e trupit tonë, duke përcaktuar se si ndihemi, sa energji kemi, si reagojmë ndaj stresit dhe madje edhe kë dashurojmë apo kujtojmë.
Çdo ndryshim i vogël hormonal mund të ndikojë tek humori, gjumi, pesha dhe dëshirat tona më të thella.
Sipas ekspertëve, hipotalamusi dhe hipofiza në tru funksionojnë si qendra kontrolluese, duke dërguar sinjale për gjithë trupin.
Kur jemi të stresuar, ato nxisin prodhimin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili ndihmon për t’u përballur me situata të vështira, por kur mbetet i lartë për një kohë të gjatë, mund të sjellë lodhje, shtim në peshë dhe ankth.
Nga ana tjetër, dopamina dhe serotonina, të njohura si “hormonët e lumturisë”, ndikojnë në motivim, humor dhe perceptimin tonë të botës.
Hormonet ndikojnë edhe në marrëdhënie dhe energji fizike. Tek gratë, estrogjeni dhe progesteroni ndikojnë jo vetëm në ciklin menstrual, por edhe në energji dhe ndjeshmëri emocionale.
Tek burrat, testosteroni lidhet me forcën fizike, dëshirën seksuale dhe vetëbesimin. Një ekuilibër i shëndetshëm hormonal përkthehet në humor të qëndrueshëm, oreks normal dhe gjumë të mirë, ndërsa çrregullimet hormonale shpesh shfaqen si lodhje kronike, shtim peshe apo ndryshime të papritura në humor.
Ekspertët rekomandojnë gjumë të rregullt, aktivitet fizik, ushqim natyral dhe shmangie të stresit si mënyra më të thjeshta për të mbajtur hormonet në ekuilibër.
Trupi, thonë ata, është inteligjent dhe ka nevojë vetëm për kushtet e duhura për të rregulluar vetë ekuilibrat e tij.