Pothuajse një në dhjetë fëmijë vuan nga ankthi, jo thjesht nga stresi i përditshëm, por nga çrregullime të ankthit që ndikojnë seriozisht në funksionimin e tyre në shtëpi, shkollë dhe në shoqëri. Sipas të dhënave nga (CDC), 9.4% e fëmijëve të moshës 3-17 vjeç janë diagnostikuar me ankth në periudhën, dhe këto shifra ka të ngjarë të jenë rritur pas pandemisë, gjatë së cilës shëndeti mendor i fëmijëve u përkeqësua ndjeshëm.
Shenjat e ankthit tek fëmijët
Hapi i parë për të ndihmuar një fëmijë që vuan nga ankthi është ta kuptosh dhe ta njohësh atë. Por kjo nuk është gjithmonë e lehtë, pasi ankthi shfaqet ndryshe tek fëmijët sesa tek të rriturit. Sipas psikologes klinike Dr. Caroline Danda, disa nga shenjat më të zakonshme përfshijnë:
- Kërkim i vazhdueshëm i sigurisë
- Bërje të pyetjeve të tipit “po sikur…”
- Frikë për të bërë gjëra të zakonshme
- Shmangie të situatave sociale apo përvojave të reja
- Agresivitet, sjellje sfiduese ose shpërthime nervash
Ndërkohë, psikologia dhe infermierja Dr. Kelsey M. Latimer shton se ankthi shpesh manifestohet edhe përmes:
- Problemeve me gjumin (vështirësi për të fjetur ose zgjime të shpeshta)
- Ndryshimeve në oreks
- Heqjes dorë nga shoqërimi me të tjerët
- Dhimbje barku, koke ose ndjesi të lodhjes pa arsye të qarta
Si mund t’i ndihmojmë fëmijët me ankth?
Së pari, mos e fajësoni veten. Siç thekson Dr. Latimer:
Fakti që një fëmijë vuan nga ankthi nuk ju bën prind të keq. Ajo që ka rëndësi është të dëgjoni fëmijën me kujdes, pa gjykim dhe pa u munduar të minimizoni ndjenjat e tij. Mos thoni “asgjë nuk është”, sepse kjo mund ta bëjë atë të ndihet i keqkuptuar dhe më i vetmuar.
Psikologia Dr. Caroline Fenkel thekson se edhe një bisedë e thjeshtë, qoftë gjatë një shëtitjeje apo duke ndarë një biskotë, mund të jetë shumë e vlefshme.
Kur përdorim fraza si ‘duhet ta kapërcesh’ ose ‘s’ka pse të ndihesh kështu’, ne i bëjmë fëmijët të ndihen fajtorë dhe i shtyjmë të mbyllen në vetvete.
Disa hapa praktikë që ndihmojnë:
- Krijoni një mjedis të sigurt dhe të qetë ku fëmija ndjehet i lirë të shprehë emocionet.
- Përdorni teknika të thjeshta relaksimi, si frymëmarrja e thellë.
- Përqafimet ndihmojnë shumë, jo vetëm tek fëmijët e vegjël, por edhe tek adoleshentët që ndoshta s’duan ta pranojnë.
- Krijoni rutinë sa më të qëndrueshme, kjo i jep fëmijëve ndjenjë sigurie.
Nëse ndieni se ankthi është duke ndikuar thellë në jetën e përditshme të fëmijës tuaj, mos hezitoni të kërkoni ndihmë profesionale. Psikologët për fëmijë dhe adoleshentë janë të trajnuar për të ndihmuar në situata të tilla.