Health & Beauty Lifestyle

Si ta shijosh një natë jashtë pa u penduar të nesërmen në mëngjes…

S’ka gjë më të bukur sesa një natë jashtë me shoqërinë, muzikë të mirë dhe ndjesinë që po e shijon jetën. Por le të jemi pak të sinqertë: jo çdo natë është si ato në “Instagram Stories”. Ndonjëherë del me pritshmëri që do kalosh super mirë dhe përfundon me këmbët që të dhembin nga takat, dikë që s’të lë rehat, ose me aromë tymi cigaresh që të ndjek gjithë rrugën për në shtëpi. Ja 5 këshilla për ta bërë natën më të këndshme dhe më “pse nuk dalim më shpesh?!

Mos e mbivlerëso alkoolin

Në fillim çdo gotë duket ide e mirë. Por në një moment, mes shot-it të pestë dhe bisedës për jetën me dikë që ke takuar para 8 minutash, kupton që s’po e shijon as veten, as ambientin. Trendi i fundit nëpër botë? Daljet “low alcohol” janë in. Më shumë përqendrim tek momenti, më pak “ku jam dhe kush janë këta”.

Mos vuaj për t’u dukur bukur

Po, duam të dukemi bukur. Por nëse s’e ndjen më gishtin e madh të këmbës pas 30 minutash ose po djersitesh si në palestër sepse xhaketa është “cool”, por sintetike, mos u lodh. Vish diçka që të bën të thuash “ua, ndihem mirë!” – sepse kjo ndjesi vlen më shumë se çdo look Pinterest-i.

Mos e humb momentin për një cigare

Nëse nuk pini cigare, ky paragraf nuk është për ju, kaloni pa frikë te këshilla tjetër. Por nëse jeni duhanpirës, sugjerojmë të mendoni ndryshe. Sepse kujtoni pak: sa herë e keni lënë një bisedë interesante, një takim që po shkonte mirë, apo një moment të bukur mes miqsh vetëm për të dalë jashtë për një cigare? Pra, pse të mos qëndroni aty ku jeni dhe të mos humbni asnjë bisedë? Sepse momentet më të bukura nuk kanë nevojë për pauzë.

Mos bëj shumë plane

Një natë jashtë s’duhet të jetë domosdoshmërisht një epope që zgjat deri në 5 të mëngjesit. Ndonjëherë, mjafton një bar i qetë, një tavolinë që s’është shumë afër altoparlantëve dhe njerëzit e duhur.

Zgjohu me ndjesinë që do të dilje sërish

Në fund të ditës (ose të natës), ajo që mbetet është si u ndjeve. Nëse ke kaluar mirë, je ndjerë rehat, nuk t’u krijua ndjesia sikur të morën me zor dhe s’je penduar për asgjë, atëherë ia ka vlejtur. Sepse fundja, një natë jashtë duhet të jetë si një përqafim i madh pas një jave të lodhshme – jo një maratonë me këpucë me taka dhe zgjedhje që s’të përfaqësojnë.