Kombet e Bashkuara do të përballen sot me tri rezoluta lidhur me përkeqësimin e situatës humanitare në Ukrainë. Kjo pasi Moska vendosi të kërkojë votim për një dokument që nuk përmend sulmin e saj ndaj vendit fqinj, një muaj më parë.
Fillimisht, Asambleja e Përgjithshme planifikon të shqyrtojë dy rezoluta rivale. Njërën prej tyre e mbështesin Ukraina dhe vendet perëndimore e ku Moska cilësohet “përgjegjëse” për krizën në rritje humanitare. Në rend dite është edhe teksti i paraqitur nga Afrika e Jugut, që nuk përmend Rusinë.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit do të hedhë në votim rezolutën e tretë, e prezantuar nga Rusia, por e kritikuar gjerësisht se nuk i referohet pushtimit të Ukrainës. Të premten e kaluar, Moska anuloi një votim në Këshill, pasi diplomatët e kishin të qartë se do të hidhej poshtë masivisht, me shumë abstenime e fare pak vota pro. Kjo në kohën kur nevojiten të paktën nëntë për miratim dhe asnjë veto. Zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyansky, u tha dje gazetarëve se “Rusia ka kërkuar një votim për të mërkurën”, pra për sot, pas takimit të planifikuar të Këshillit të Sigurimit për bashkëpunimin me Ligën Arabe.
Polyansky deklaroi se “nëse vendet perëndimore nuk e mbështesin rezolutën ruse, ky do të jetë reflektim i hipokrizisë së tyre dhe refuzim për të mbështetur një masë thjesht humanitare, pa asnjë politizim, ashtu si rezolutat e tjera humanitare të miratuara nga Këshilli 15 anëtarësh”.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt dhe lufta ka shkaktuar miliona refugjatë.
Nga fillimi i agresionit e deri në mesnatën e 19 marsit, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) regjistroi 902 civilë të vrarë e 1 mijë e 459 të plagosur. Por, zyrtarët ukrainas thonë se mijëra civilë janë vrarë, mes tyre mbi 120 fëmijë. Një krizë e theksuar humanitare po zhvillohet momentalisht në qytetin port të Mariupolit ku vlerësohet se mijëra civilë mbeten të bllokuar pa ujë, energji dhe furnizime ushqimore.