Aktualitet

Skandali me pagat, Qeveria: “Nuk ka dalë nga Ministria e Financave”!

Përmes zëdhënësit, Qeveria reagon lidhur me listën me emra tatim-paguesish ku iu bëhen publike të dhëna personale dhe pagat. Ky dikaster pohon se bëhet fjalë për një dokument ilegal dhe se sipas tij është bashkim i disa copave të ndryshme. Ndër të tjera, ministria njofton se do të depozitojë një kallëzim penal në prokurori për zbardhjen e ngjarjes.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport digjital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme.

Po ashtu, databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë”, siç lexohet në këtë dokument ilegal.  Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme.

Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Më herët reagoi edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për të cilin, “ky është rast paligjshmërie i përsëritur pas skandalit të patronazhistëve”.