Episodi i radhës i “A je bre normal” me Meriton Mjekiqin, erdhi me një të ftuar shumë speciale, si Soni Malaj. Në këtë intervistë të veçantë, ajo ka folur më shumë për karrierën e saj, sukseset dhe sfidat e hasura, por jo vetëm…
Si erdhi bashkëpunimi yt me Mc Kresha?
Ka qenë një bashkëpunim që unë dhe Kresha e kemi dashur shumë prej vitesh, 10 ose më tepër vite. Por gjithmonë kemi pritur këngën e duhur. Unë kam menduar gjithmonë që t’i propozoja një këngë ritmike, por nuk ka qenë ajo e duhura. Dhe Fifi, që është autorja e këngës, së bashku me Kledi Bahitin, bënë këtë këngë. Unë isha në makinë, po e dëgjoja, po bëja xhiro konstruktive, se kam një vesh shumë kritik, dhe mendova që kjo këngë duhet të jetë për mua dhe Kreshën. Sa ia kam dërguar, ai ka pranuar dhe tha se kjo është kënga që ne duhet të bëjmë duet.
Pse u desh të kalonin 10 vite për të bërë një këngë së bashku?
Në radhë të parë nuk ka qenë fati për të bërë këngën e duhur. E dyta, unë nuk bëj këngë shumë shpesh, siç bën pjesa tjetër e industrisë, që bën këngë një herë në dy muaj. Unë më rrallë, sepse kam shumë këngë të miat, kam gati 200 këngë si soliste. Dhe nuk e kam gjetur veten tek çdo producent, sepse kam një karakteristikë vokale që jam soul singer, që është shumë e rrallë dhe e vështirë që të kompozosh për mua, që të jetë diçka dhe melodike dhe e kapshme për publikun. Dhe kur erdhi kënga thashë t’ia propozoja Kreshës.
Pse mendon se këngëtarët bëjnë më shumë bashkëpunime gjatë verës se sa gjatë dimrit?
Janë më të shpeshta në verë, por më beso se gjatë gjithë vitit janë në kërkim të bashkëpunimeve. Më përpara kanë ndodhur bashkëpunimet për shkak të shoqërisë, ndërsa tani janë gjëra strategjike për të bashkuar dy fan base në një për të funksionuar. Duke qenë se ka shumë këngëtarë dhe industria është bërë shumë e vështirë, ndoshta kjo puna e bashkëpunimeve i sjell vëmendjen e njerëzve tek një këngëtar që ndoshta nuk e kanë pasur në vëmendje.