Aktualitet

Sot seanca e radhës e gjyqit për Erion Veliajn!

Sot mbahet seanca e dytë e gjyqit në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, bashkëshorten Ajola Xoxa dhe 28 persona e shoqëri, pjesë e dosjes. Më 9 mars, Veliaj, i cili nuk u paraqit në seancë, arriti të siguronte një fitore pasi GJKKO-ja i  pranoi kërkesën e përsëritur për të marrë të gjitha aktet e dosjes hetimore. SPAK, përmes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i dorëzoi 28 mijë faqe nga 72 fashikujt e dosjes, në funksion të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.

Krahas Veliajt, në seancën e parë në themel, mungoi edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e përfaqësuar nga avokati Maks Haxhia, i cili informoi gjykatën se është shtatzënë dhe se mjeku i ka ndaluar lëvizjen për arsye shëndetësore. Po ashtu munguan, por u përfaqësuan nga avokatë, të pandehurit e tjerë, Klotilda Bushka, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi e Sokol Kryeziu. I vetmi i pandehur i paraqitur fizikisht në seancë ishte biznesmeni Elman Abule, i cili deklaroi se do të jetë i pranishëm edhe në vijim të procesit.

Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen, më 9 shkurt. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK-u dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë.

Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre e futja e sendeve në burg. Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, ashtu si Erion Veliaj dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie e fshehje të të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash e pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Më 20 maj, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën për ankimin e Veliajt për masën “Arrest me burg”.