Spak, prokuroria kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka marrë në pyetje deputetin e sapo zgjedhur socialist Petro Koçi. Arsyeja e bisedës informative është sepse SPAK konfirmohet zyrtarisht se ka nisur verifikimet pas akuzës së ish-zv/ministrit të brendshëm Petro Koçi se në Fier, tenderat dhe prokurimet publike i merr krimi i organizuar.
Pak ditë më parë Koci, ftoi SPAK të hetonte sepse sipas tij duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publikë deklaronte Koçi për mes një njoftimi në Facebook dhe këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eleminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit.
Këtë të enjte në një qëndrim me deputetin socialist ishte edhe deputeti demokrat Luan Baçi i cili kërkon që SPAK të zbresë në Fier. Deputeti demokrat akuzon kryebashkiakun por edhe drejtuesit e kompanive shtetërore të naftës në fier.
Të pyetur për këtë cështje drejtuesit e SPAK thonë se kanë nisur verifikimin pas deklarimeve publike të Petro Koçit dhe se veprimet deri më tani mbahen sekret, por duket se hapi i parë i SPAK ka qenë biseda konkrete me akuzuesin, Socialistin Petro Koçi.