Në studion e emisionit “Top Story” në Top Channel, kryetarja e Kuvendit, znj.Elisa Spiropali, u pyet në lidhje me foton e publikuar në Facebook-un e Kuvendit të Shqipërisë ku bëhej thirrje për të votuar numrin 5 që mban PS-ja në fletën e votimit për zgjedhjet e 11 Majit. Spiropali, u shpreh se nuk përdor asnjë punonjës të administratës për fushatë dhe as makinën zyrtare gjatë kësaj fushate.
Kryetari i Kuvendit nuk përdor makinën zyrtare në fushatë. Unë kam veten time, të qënurit figurë politike. Ka një tentativë për të dezinformuar për shkaqe të kuptueshme. Vërej që ka tentativa për dezinformim për konflike të rreme në territor. Besoj që janë alibi të dy javëve të fundit për shkak të një vetëdijeje mbi rezultatin zgjedhor që opozita do të marrë. Fillon zhurma nga i pari që ka aftësi të jashtëzakonshme për të shpifur dhe t’i kthejë në diskutime.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, debatoi në studio edhe me gazetarin Arion Sulo për mënyrën se si duhet t’i drejtohen njëri-tjetrit.
Mbaj vendin dhe fol siç duhet e siç i takon kësaj studioje. M’u drejto me znj.Spiropali dhe unë do t’ju drejtohem me z.Sulo. Lëri humoret!
Gazetari Sulo iu drejtua Kryetares së Kuvendit për Edi Ramën duke e quajtur Skënderbe, ndërsa Spiropali tha se Skënderbe e keni bërë ju. Gjithashtu, Spiropali u pyet për deklaratat e Ramës që i ka quajtur burrat çyrykë.
Skënderbe e keni bërë ju. Nuk i ka thënë në asnjë moment shqiptarëve çyrykë. Por ju nuk kuptoni metaforën politike.
Spiropali: S’jemi në kafene që bëke ti humore këtu, mbaj vendin dhe fol si duhet!
Sulo: E ke për titullin? E ke për etikën, për mbiemrin zonjë apo për politikë?
Spiropali: Po patjetër që je i lirë, për humorin.
Sulo: Pasi Skënderbeu juaj, ai s’është fare Skënderbe, u ka thënë çyryk shqiptarëve dhe fiton zgjedhjet, ju jeni.
Spiropali: Ju nuk jeni fyer kur të vdekurit dhe të gjallët e Ramës përmenden, kur etiketohemi hajdutë, kriminelë me emër e jo me satirë politike.
Sulo: Pse s’dilni në debat me ata?
Spiropali: Unë s’dal në një debat me njerëz që etiketojnë, kanë gjuhë urrejtje denigruese.
Sulo: Tabaku, Alimehmeti ju kanë denigruar?
Spiropali: Me gjithë respektin për Tabakun, ajo është në fund të listës së hapur.
Sulo: Si e duroni urdhrin e Ramës për t’u larguar nga studiot dhe doni të fitoni zgjedhjet?