Health & Beauty

Studim i ri/ Konsumi i perimeve nuk ul domosdoshmërisht rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare…

Një studim i fundit ka ngritur pikëpyetje mbi rolin e perimeve në mbrojtjen nga sëmundjet kardiovaskulare (SKV), duke sugjeruar se konsumimi i tyre, i vetëm, mund të mos ketë efekt të drejtpërdrejtë në uljen e rrezikut. Hulumtimi, i realizuar nga studiues të Departamentit të Shëndetit të Popullsisë Nuffield në Universitetin e Oksfordit, në bashkëpunim me Universitetin Kinez të Hong Kongut dhe Universitetin e Bristolit, nuk gjeti prova të forta që një konsum më i lartë i perimeve të ndikojë në mënyrë të dukshme në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

Sipas studiuesve, megjithëse perimet përmbajnë përbërës të dobishëm si karotenoidet dhe alfa-tokoferoli, të cilët janë të njohur për vetitë e tyre antioksiduese, rezultatet e studimeve të mëparshme kanë qenë jo të qëndrueshme dhe shpesh të ndikuara nga faktorë të tjerë të jetesës.

Studimi i publikuar në “Frontiers in Nutrition” thekson se një konsum i lartë i perimeve, qofshin të gatuara apo të freskëta, nuk tregon një lidhje të qartë dhe të drejtpërdrejtë me uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare. Studiuesit shtojnë se faktorë të tjerë si aktiviteti fizik, dieta e përgjithshme dhe zakonet e jetesës mund të kenë ndikim më të madh në shëndetin e zemrës.

Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se kjo nuk nënkupton që perimet janë të panevojshme, pasi ato mbeten pjesë e rëndësishme e një diete të balancuar dhe të shëndetshme. Në përfundim, studimi thekson nevojën për kërkime më të thelluara për të kuptuar më mirë lidhjen mes ushqyerjes dhe shëndetit kardiovaskular.