Lifestyle

Cilat janë terapitë më efektive kundër ankthit? CBT mbetet baza, por ACT dhe MCT po fitojnë terren… Çfarë janë?

Ankthi, një nga çrregullimet mendore më të përhapura në botë, shpesh shoqërohet me mendime negative, trauma të së kaluarës dhe vështirësi në përballimin e stresit të përditshëm.

Psikoterapia mbetet një nga trajtimet më të sigurta dhe më të studiuara shkencërisht, me disa qasje që kanë dhënë rezultate konkrete.

Sipas një meta-analize të publikuar në revistën “The Lancet Psychiatry”, që përfshiu mbi 13 mijë persona, Terapia Kognitive e Sjelljes (CBT) është forma më e efektshme për ankthin social dhe çrregullimet e përgjithshme të ankthit, duke dhënë rezultate më të qëndrueshme se medikamentet.

CBT ndihmon pacientët të sfidojnë mendimet e gabuara dhe frikërat e ekzagjeruara, duke u konsideruar “standardi i artë” i trajtimit.

Një tjetër qasje gjithnjë e më e pranishme është Terapia e Pranimit dhe Angazhimit (ACT), e cila i mëson individët të pranojnë ndjenjat e vështira pa u përpjekur t’i eliminojnë.

Një studim i publikuar në “Journal of Consulting and Clinical Psychology” tregoi se ACT ka rezultate të ngjashme me CBT në trajtimin e ankthit, por në disa raste ofron përmirësime më afatgjata.

Ndërkohë, një kërkim 9-vjeçar i publikuar në “Frontiers in Psychology” zbuloi se Terapia Metakognitive (MCT) është edhe më e fuqishme për trajtimin e ankthit të përgjithshëm (GAD): 57% e pacientëve që ndoqën MCT mbetën të rikuperuar pas gati një dekade, krahasuar me vetëm 38% te ata që ndoqën CBT.

Qasje të tjera si DBT (Terapia Dialektiko-Sjellore) dhe IPT (Terapia Interpersonale) rekomandohen në raste specifike.

DBT është veçanërisht e dobishme për ata që përballen me emocione shumë intensive dhe rrezik vetëvrasjeje, ndërsa IPT përdoret kur ankthi lidhet ngushtë me konfliktet dhe marrëdhëniet sociale.

Ekspertët theksojnë se zgjedhja e terapisë duhet të përshtatet me profilin e pacientit: nëse ankthi vjen nga trauma të së kaluarës, terapia psikodinamike mund të jetë më e përshtatshme; nëse lidhet me marrëdhëniet, IPT është alternativa më e mirë; ndërsa për ankthin kronik, MCT po tregon rezultate mbresëlënëse.

Përfundimi i studimeve është i qartë: nuk ekziston një terapi unike për të gjithë, por CBT, ACT dhe MCT janë qasjet më të mbështetura shkencërisht për të ulur nivelin e ankthit dhe për të rikthyer cilësinë e jetës.