Të paktën 16 persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën që nga e mërkura mes stuhive të forta dhe përmbytjeve në Midwest, si dhe në Jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç njoftuan mediat atje.
CNN raportoi se stuhitë vranë të paktën 16 persona në Tenesi, Misuri, Indiana, Arkansas e Kentaki që nga mesi i javës.
Autoritetet në Tenesi konfirmuan 10 vdekje.
Në Kentaki, një djalë 9 vjeç u përfshi nga përmbytjet e furishme teksa po shkonte drejt një stacioni autobusi, referuar burimeve të policisë. Për fat të keq, më vonë u gjet i pajetë.
Një person i moshës 74 vjeç dhe që ishte në timonin e makinës së tij, po ashtu vdiq, pasi mbeti i bllokuar kur automjeti që drejtonte u zhyt në ujë. Në Misuri, dy zjarrfikës gjetën vdekjen në krye të detyrës, duke iu përgjigjur thirrjeve të veçanta të të mërkurën e të premten.
Në Indiana, një 27-vjeçar ndërroi jetë nga linjat e energjisë të rrëzuara gjatë një stuhie. Në Arkansas, një fëmijë 5 vjeç humbi jetën në shtëpinë e tij. Në një deklaratë, Departamenti i Sigurisë Publike i Shtetit njoftoi se vdekja e fëmijës ishte e lidhur me “motin e keq”.
Sipas ABC News-it, në Arkansas ra aq shumë shi brenda pak ditësh sa zakonisht bie në tre muaj. Në disa zona të goditura nga stuhitë, blloqe të tëra shtëpish ishin nën ujë. Shtëpitë dhe makinat u zhytën deri në çati. Tornado u raportuan gjithashtu në disa zona.
Shërbimi Kombëtar i Motit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lëshoi paralajmërime për tornado në pjesë të Luginës së Tenesit dhe asaj të Misisipit të Poshtëm. Muajin e kaluar, stuhitë e forta në Midwest e në Jug të Shteteve të Bashkuara iu morën jetën rreth 40 personave.