Bota

Stuhitë “Elli” dhe “Goretti” lënë qindra mijëra evropianë pa energji elektrike!

Erëra të fuqishme sot goditën Francën e Britaninë e Madhe ndërsa stuhitë “Elli” dhe “Goretti” përparuan me shpejtësi në Evropën veriore, duke lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike, mes temperaturave të ulëta dimërore.

Parashikuesit e motit nga Britania e Madhe deri në Gjermani u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda, duke lëshuar paralajmërime të shumta për motin e keq, përfshirë alarmin e rrallë maksimal, nivelin e kuq për erëra për ishujt Scilly dhe Cornwall, në jugperëndim të Anglisë.

Rreth 380 mijë familje mbetën pa energji elektrike në Francë, shumica dërrmuese në rajonin verior të Normandisë, njoftoi kompania e shpërndarjes së energjisë “Enedis”.

Ndërkohë raportohet se rreth 65 mijë familje humbën energjinë elektrike në Britani.

Gjatë natës, në rajonin veriperëndimor francez të Manches u regjistruan stuhi ere me fuqi deri në 216 kilometra në orë.

Shtrëngatat rrëzuan pemë në disa rajone, ku të paktën një prej tyre ra mbi godina banimi në rajonin Seine-Maritime të Francës, pa shkaktuar të lënduar.

Në Britani ka erëra deri në 160 kilometra në orë ndërsa “dallgë shumë të mëdha krijojnë kushte të rrezikshme në zonat bregdetare”, siç njoftoi Shërbimi Meteorologjik Britanik (Met Office).

Po ashtu, Met Office lëshoi paralajmërim portokalli për borë në Uells, Anglinë qendrore dhe pjesë të Anglisë veriore, duke parashikuar deri në 30 centimetra dëborë në disa zona.

Hekurudhat Kombëtare të Britanisë së Madhe njoftuan se shërbimet hekurudhore do të preken gjatë dy ditëve të ardhshme dhe u bënë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet, përveç rasteve të domosdoshme.

Shkolla të mbyllura, probleme në udhëtime

Shkollat mbetën të mbyllura në Francën veriore, ku paralajmërime për mot ekstrem janë lëshuar në 30 rajone të tjera.

Strehoni veten dhe mos përdorni automjetet, paralajmëroi prefektura Manches në X të, duke iu kërkuar banorëve të përgatisin ndriçim emergjence dhe furnizim me ujë të pijshëm.

Kushtet ekstreme të motit në Evropë kanë shkaktuar të paktën 8 viktima, mes tyre 1 në Durrës.

Në Gjermani, reshjet e dendura të borës dhe erërat e forta në veri ndikojnë në shkolla, spitale dhe transport.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman (DWD), në veri mund të bien deri në 15 centimetra dëborë, ndërsa në jug ekziston rreziku i formimit të akullit në rrugë.

Temperaturat gjatë fundjavës pritet të zbresin deri në minus 20 gradë Celsius në disa zona.

Disa rajone njoftuan mbylljen e shkollave, përfshirë qytetet veriore Hamburg dhe Bremen.

Në Hamburg, moti i keq ka shkaktuar tashmë vonesa dhe anulime në rrjetin e transportit publik.

Kompania kombëtare hekurudhore “Deutsche Bahn” paralajmëroi për vonesa të konsiderueshme në ditët në vijim dhe ka angazhuar më shumë se 14 mijë punonjës për të pastruar borën nga shinat dhe platformat.

DWD-ja bëri të ditur se stuhia pritet të zgjasë deri nesër e reshjet e borës do të ndalojnë të hënën.