Një djalë 12-vjeçar, Nico Antic, humbi jetën në Australi nga plagët e marra nga një kafshim peshkaqeni. Sulmi ndodhi disa ditë më parë në një gji të Sidneit. Familja njoftoi vdekjen e të miturit. Sipas raportimeve, djali ishte në plazh me miqtë kur u hodh nga një shkëmb dhe në ujë u sulmua nga grabitqari.
Gjendja e tij u duk menjëherë kritike, por pavarësisht dërgimit të shpejtë në spital dhe ndihmës mjekësore, për fat të keq nuk kishte asgjë që mund të bëhej për të.
Shqetësimet po rriten, veçanërisht në Sidnei, për shkak të sulmeve të peshkaqenëve, një fenomen që thuhet se është intensifikuar në javët e fundit. Rasti i Nico Antic-it është i treti fatal në Sidnei në muajt e fundit.
Në shtator 2025, një peshkaqen i bardhë i madh vrau një sërfist në një plazh të mbushur me njerëz, në veri të qytetit. Në nëntor, një viktimë tjetër, një e re që notonte në të njëjtën zonë, gjeti vdekjen.
Çfarë po ndodh?
Ujërat gjithnjë e më të mbushur dhe temperaturat në rritje të oqeanit, që duket se ndikojnë në modelet e migrimit të peshkaqenëve, janë ndër shkaqet e shtimit të sulmeve, pavarësisht se peshkimi i tepërt po varfëron disa specie, siç shprehen shkencëtarët.
Të dhënat:
Në Australi, që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1791, janë shënuar më shumë se 1 mijë e 280 “incidente” me peshkaqenë, duke përfshirë mbi 250 vdekje, sipas një baze të dhënash që detajon ndërveprimet mes njerëzve e peshkaqenëve.