Sulmi i gjerë izraelit kundër Iranit duket se ka befasuar udhëheqjen ushtarake iraniane dhe mund të ketë vonuar një kundërpërgjigje të menjëhershme. Por, mbetet e paqartë nëse ka arritur qëllimin kryesor: dëmtimin e programit bërthamor të Republikës Islamike, për të cilin Izraeli pretendon se është pranë prodhimit të armëve, pavarësisht se Irani këmbëngul se e ka vetëm për qëllime civile.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e të tjerë zyrtarë izraelitë kanë pohuar se kohët e fundit, Irani ka përshpejtuar përpjekjet e pasurimit të uraniumit deri në atë pikë sa mund të prodhojë armë bërthamore brenda muajsh ose edhe ditësh.
Operacioni “Luani që ngrihet”, siç e quajti Izraeli kishte në shënjestër komponentë të rëndësishëm të infrastrukturës bërthamore të Iranit, përfshirë objektin e pasurimit në Natanz, si dhe instalime ushtarake brenda e rreth Teheranit.
Avionët luftarakë izraelitë goditën edhe fabrika për prodhimin e raketave e godina banimi, ku dyshohej se strehoheshin zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë. Ndër të vrarët thuhet se është edhe Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), megjithëse Irani nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.
Sipas zyrtarëve izraelitë, qëllimi ishte të dëmtohej si programi bërthamor i Iranit, ashtu edhe aftësia e tij për t’u kundërpërgjigjur me arsenal të gjerë të raketave balistike e që për Izraelin janë kërcënimi më i madh pas një Irani me armë bërthamore.
Netanyahu ka hapur një kapitull të ri në Lindjen e Mesme, një epokë të luftës bërthamore izraelite-iraniane, shkroi në X, Eran Etzion, ish-zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit. Një luftë që synon ndalimin e programit bërthamor të Iranit, por që në fakt, duket se ka për qëllim goditjen e bazave themelore të vetë regjimit iranian.
Bast me rrezik të lartë
Analistët e sigurisë e përshkruajnë operacionin si një bast parandalues apo një përpjekje për të shmangur atë që Izraeli e sheh si kërcënim ekzistencial, por që rrezikon të ndezë një luftë rajonale, të pengojë diplomacinë dhe madje, t’i përshpejtojë ambiciet bërthamore të Iranit.
Danny Citrinonwicz, bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, tha se sulmi i dha një goditje të madhe prestigjit të Iranit, duke depërtuar në mbrojtjen e tij ajrore dhe eliminuar komandantë të lartë.
Megjithatë, vuri në dukje se ndikimi në programin bërthamor të Iranit është “i kufizuar”, pasi objektet kyçe, përfshirë vendin e fortifikuar mirë, Fordov, mbeten të paprekura.
Kjo është vetëm faza fillestare e një fushate më të gjatë. Duket se Izraeli po ruan disa karta për përshkallëzimin e mundshëm që pritet.