Rajoni

Sulmi ndaj zv.ministrit Mehani në Skënderaj, 2 të ndaluar në Kosovë!

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë me dije se ka dërguar në paraburgim për 48 orë dy persona në lidhje me ngjarjen e djeshme (14 maj) ku pas një konflikti fizik mbetën të lënduar zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani i cili është edhe kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj dhe aktivistit Bahri Zabeli.

Po ashtu bëhet me dije se janë marrë në pyetje Mehani dhe Zabeli në cilësinë e të lënduarve, 5 dëshmitarë si dhe dy të ndaluarit. Këta të fundit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë së bashku me policinë kanë punuar ditën e djeshme për mbledhjen e provave relevante lidhur me ngjarjen.

Prokuroria bëri me dije ndër të tjera, se dy të dyshuar të tjerë S.L., dhe K.H., janë thirrur për t’u marrë në pyetje, por nuk i janë përgjigjur kërkesës.

Hysni Mehani i cili është edhe kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj dhe aktivistit Bahri Zabeli, pretendojnë se sulmi është kryer nga kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij. Nga ana e tij, Lushtaku përmes një postimi në Facebook, i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka zhvilluar aksion në Skënderaj pas lëndimeve trupore ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani. Gjatë aksionit janë ndaluar disa persona dhe janë kryer bastisje, përfshirë edhe në banesën e A. L., ndërsa prania e madhe e policisë ka nxitur reagime nga qytetarët.

Ndërkohë, nënkryetari i Skënderajt, Fadil Nura, ka shkruar në rrjetin social, Facebook, se tensionet e krijuara, sipas tij, rikthejnë kujtime të rënda për qytetin.