Nesër në 16:00 në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit zhvillohet përballja Teuta-Skënderbeu dhe durrsakët kanë shansin e artë që për të dytën herë radhazi të shkojë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Për të parën herë në histori, Teuta mund të provojë ta fitojë dy herë rresht kompeticionin, ndërsa sytë i ka të hapura edhe nga trofeu i kampionit.
Për “djemtë e detit” do të ishte sezon i veçantë nëse për herë të parë në histori do të realizonin dopjetën “Kupë-kampionat”, ndërsa në korrik, për herë të parë fituan Superkupën e Shqipërisë.
Nuk do të jetë një përballje e thjeshtë ajo kundër Skënderbeut, pavarësisht pozicionit të korçarëve në Kampionat. Eshtë ndeshje teke dhe diferencat në futbollin shqiptar nuk janë të mëdha. Durrsakët vijnë nga 11 takime pa humbje mes Kampionatit e Kupës dhe po kalon çastin më të mirë të sezonit, tashmë duke qënë të vetmit në kreun e renditjes. Forma e Dejvi Bregut ka bërë diferencën, teksa në tërësi paraqitjet kanë qenë të mira si skuadër, pa harruar fazën mbrojtëse që gjithmonë ka funksionuar.
Ndërkohë që në anën tjetër, trajneri i bardhekuqve, Migen Memelli ishte i qartë: do të luftojmë edhe në Kupë. Ashtu si Teuta, Skënderbeu po kalon momentin më të mirë të sezonit dhe mes Kampionatit e Kupës ka regjistruar tre fitore e një barazim në katër ndeshjet e fundit.
Korçarët janë në mes të garës për mbijetesë, por gjithashtu vetëm një hap larg finales së Kupës. Skënderbeu nuk niset favorit, por kjo nuk e përjashton suprizën e mundshme në “Niko Dovana” nesër në 16:00, ndeshje që do të transmetohet live në Supersport 4.