Emisioni investigativ, Fiks Fare i transmetuar një ditë më parë në Top Channel, zbuloi si Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar një tender për blerjen e disa medikamenteve në fund të vitit 2024, me fitues të paracaktuar. Eshtë fjala për një fond prej 9.3 milion eurosh nga ku 8.5 milion ishin paracaktuar për të kaluar në arkën e një kompanie farmaceutike.
Gazetarët e Fiks Fare-s risollën në vëmendje se në QSUT ka mungesa të theksuara barnash bazike, aq sa pacientet e shtruar detyrohen të lënë shtratin e te dalin për t’i blere në farmacitë përreth spitalit. Ndërkohë, 8.5 milion euro u dhanë për të blerë 4 medikamente që i shërbejnë vetëm një numri të vogël pacientësh.
Në Agjencinë e Prokurimit Publik, këto tendera u publikuan me flamur të kuq pasi prokurimi u zhvillua me një konkurrent të vetëm. Ndërkaq, konkurrenti i vetëm që mori pjesë në këtë garë, i shpallur fitues nga Ministria e Shëndetësisë, fitoi mbi 90% të buxhetit që ky dikaster vuri në dispozicion të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të mbuluar nevojat e saj me medikamente.
Ministria justifikohet duke thënë se numri i pacientëve që përfitojnë kurim nga ky tender i referohet kërkesës dhe argumentimit nga shërbimet përkatëse pranë qendrave spitalore. Por, ky dikaster nuk sqaron se përse duhen blerë barna më të shtrenjtë ndërkohë që ekzistojnë edhe alternativa të tjera, të cilat kushtojnë edhe më pak.
Gazetarët e emisionit Fiks Fare kanë ngritur edhe pyetje të tjera që zbardhin të vërtetat e këtij tenderi me fitues të paracaktuar./Top Channel