Ka përfunduar seanca lidhur me vlerësimin e masës së sigurisë për dy personat e përfshirë në ngjarjen makabre të pak ditëve më parë në Durrës, ku viktimë mbeti 51-vjeçari Valbon Beqiri, i vrarë me thikë brenda banesës ku jetonte në qytetin bregdetar.
Mësohet se gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë duke vendosur:
• Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë për të pandehurit Teilor Tivari dhe shokun e tij Xh.D., i cili e ndihmoi për largimin nga vendngjarja.
• Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për të dy të pandehurit.
Beqiri u masakrua me mbi 20 goditje thike nga 24-vjeçari Tivari, i cili para hetuesve pretendoi se viktima tentoi ta përdhunonte, por dyshohet se vrasja ka qenë e paramenduar. Hetuesit po shqyrtojnë pistën e një lidhjeje intime mes tyre, çka mund të ketë sjellë konfliktin fatal.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, rezultoi se Beqiri ishte goditur që te dera e apartamentit. Pas përleshjes e në përpjekje për t’u mbrojtur, u gjet i pajetë nën tavolinën e kuzhinës (vetëm me të mbathura), në banesën e mbuluar në gjak. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur brenda një harku kohor prej 25 minutash.
Krimi u zbulua pasi viktima nuk shkoi të merrte djalin e tij nga shkolla, si çdo ditë. Pas kërkimeve, një i afërm e gjeti të pajetë dhe njoftoi policinë mbrëmjen e 24 shtatorit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 24-vjeçari kishte hyrë në banesë për të blerë lëndë narkotike, por pas një konflikti për motive të dobëta, e goditi disa herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia arrestoi 24-vjeçarin Teilor Tivari dhe personin që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, ndërsa hetimet po vijojnë për të sqaruar motivet e plota të këtij krimi.