Aktualitet

Vrasja e Valdon Beqirajt në Durrës/ Ftoi shokët për drogë, por u dhunua dhe u vra!

Valdon Beqiraj, 51-vjeçari i cili u gjet i pajetë mbrëmjen e djeshme nga nipi i tij në Durrës, humbi jetën si pasojë e dhunës dhe goditjeve me mjet prerës, thikë. Konfirmimi vjen nga blutë e qytetit bregdetar, që sot dhanë detaje rreth ngjarjes kriminale, duke theksuar se në trupin e 51-vjeçarit kishte shenja dhune e plagë të shkaktuara me thikë. Dyshohet se Beqiraj humbi jetën si pasojë e tyre.

Bëhet e ditur se në banesën ku ndodhi ngjarja, shtëpia e hallës së viktimës, 51 vjeçari dhe të njohur të tij shkonin e konsumonin lëndë narkotike.

Dyshohet se nën efektin e drogës ka pasur një sherr mes viktimës e një personi tjetër, çka përfundoi në vrasjen e 51-vjeçarit Valbon Beqiraj me thikë.

Pas krimit, si edhe sot, Policia e Durrësit shoqëroi shumë persona, mes tyre autorin e dyshuar. Mbrëmjen e djeshme, konkretisht rreth orës 19:30, ishte nipi i viktimës që konstatoi trupin e pajetë të dajës së tij, baba i një fëmije të mitur dhe njoftoi uniformat blu.

Me të shkuar në vendin e ngjarjes, konkretisht në lagjen numër 12 të qytetit bregdetar, policia bëri këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorit.