Të ftohesh në rezidencën verore të familjes mbretërore britanike në Balmoral mund të duket si një privilegj i rrallë, por për partneret e reja kjo përvojë është në fakt një provë e vërtetë. E njohur si “Balmoral Test”, kjo është një lloj “audicioni i heshtur”, ku anëtarët e rinj të familjes vëzhgohen me kujdes për të kuptuar nëse janë të përshtatshëm për jetën mbretërore. Bëhet fjalë për një traditë të vjetër që daton që nga koha e mbretëreshës Victoria. Në këtë rezidencë skoceze, larg protokolleve zyrtare të Londrës, familja mbretërore jeton një jetë më informale por rregullat dhe pritshmëritë mbeten po aq të forta.
Gjatë qëndrimit në Balmoral, të ftuarit vlerësohen në mënyrë të heshtur për sjelljen dhe etikën, aftësinë për t’u përshtatur me jetën në natyrë, respektimin e hierarkisë familjare, dhe mbi të gjitha, besnikërinë ndaj institucionit mbretëror. Edhe pse atmosfera është më e relaksuar, çdo veprim vëzhgohet dhe gjykohet. Në thelb, “Balmoral Test” është një mënyrë për të parë nëse një person mund të integrohet në një familje me rregulla të pashkruara dhe tradita shumë të forta. Ndryshe nga një takim i zakonshëm familjar, këtu çdo detaj ka peshë; nga mënyra si sillesh në tavolinë, te mënyra si ndërvepron me anëtarë të brezave të ndryshëm.
Kalimi i kësaj prove konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt pranimit të plotë në familjen mbretërore. Sipas ekspertëve të familjes mbretërore, si Princeshë Diana ashtu edhe Kate Middleton arritën ta kalonin testin me sukses. Diana u përgatit paraprakisht duke marrë këshilla nga persona me përvojë dhe u përshtat mirë me ambientin, duke lënë një përshtypje pozitive. Ndërsa Kate, falë natyrës së saj sportive dhe dashurisë për jetën në natyrë, u ndje menjëherë në shtëpi dhe fitoi shpejt simpatinë e familjes mbretërore. Rasti i Meghan Markle ka qenë më kompleks.
Sipas burimeve, ajo nuk ishte aq e familjarizuar me traditat e jetës në natyrë dhe disa prej zakoneve të vjetra të familjes mbretërore nuk i përshtateshin plotësisht. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo provë nuk është vendimtare për suksesin afatgjatë në familje, por më shumë një “përshtypje e parë e zgjatur”. Edhe pas ndarjes nga jeta të mbretëreshës Elizabeth II, kjo traditë vazhdon të ekzistojë, ndonëse në forma më të buta. Sot, “Balmoral Test” shihet si një version më i sofistikuar i “takimit me familjen”, por me një nivel shumë më të lartë pritshmërish dhe vëzhgimi.