“Pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të finalizojnë hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave Serbe”. Kjo theksohet nga Presidenti Hashim Thaçi, në një deklaratë të shpërndarë sot, që përkon me ditën kur zyrtarisht përfundon afati për dorëzimin e këtij drafti. Thaçi nënvizon se “Kosova do t’i përmbahet me përpikmëri zotimeve për ruajtjen e qetësisë dhe mosrrezikimin e objektivave për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë”. Gjithashtu, Presidenti iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve e palëve të përfshira në këtë proces, të përmbahen nga çdo lloj provokimi e të ruajnë qetësinë, në një kohë shumë të rëndësishme për vendin.