Pas më shumë se një dekade në krye të një prej kompanive më të fuqishme në botë, Tim Cook raportohet se po largohet nga pozicioni i CEO-s së Apple, duke shënuar fundin e një epoke të rëndësishme për gjigantin teknologjik. Cook mori drejtimin e Apple në vitin 2011, pas largimit të legjendës Steve Jobs dhe gjatë udhëheqjes së tij kompania njohu një rritje të jashtëzakonshme financiare dhe zgjerim global. Nën drejtimin e tij, Apple u bë kompania e parë në histori që arriti vlerën prej 3 trilion dollarësh në treg.
Në një takim të kohëve të fundit me punonjësit, ai pranoi disa nga gabimet e tij dhe ndau atë që e konsideron momentin më krenar. Duke folur me punonjësit, Cook tha se “gabimi i tij i parë vërtet i madh” si Drejtor Ekzekutiv i Apple ishte lançimi i Apple Maps në iPhone në vitin 2012. Kur aplikacioni u lançua, ai jo vetëm që mbeti pas Google Maps, por u dha përdoruesve udhëzime të gabuara. Me sa duket, Cook është i pari që e pranon gabimin, duke thënë se aplikacioni nuk ishte gati për t’u lansuar, sipas një raporti të Bloomberg .
“Ne kërkuam falje dhe thamë shkoni përdorni aplikacione të tjera, janë më të mira se tonat”, deklaroi ai. Nga ana tjetër është Apple Watch dhe veçoritë shëndetësore, të cilat Cook thotë se janë momentet më të veçanta midis shumë momenteve për të cilat ai është krenar. Cook ka thënë së fundmi se ndoshta ka ardhur koha të ndalojmë scroll-in e pafund në telefon. “Nuk dua që njerëzit ta përdorin shumë,” tha ai, duke paralajmëruar se sa lehtë mund të ngecësh duke bërë “scroll pafund” në vend që të jesh i pranishëm. Ai gjithashtu shtoi: “Nuk dua që njerëzit të shikojnë më shumë në smartphone sesa në sytë e dikujt tjetër,” duke nxitur rikthimin e lidhjes me jetën reale. “Kjo nuk është mënyra si dëshiron të kalosh ditën tënde. Dil jashtë dhe shijoje natyrën.”