Një ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik ka marrë një kthesë të re në SHBA. Gruaja nga Florida, e akuzuar se hapi zjarr ndaj rezidencës së Rihanna, është deklaruar e pafajshme për tentativë vrasjeje dhe një sërë akuzash të tjera të rënda.
Ivanna Lisette Ortiz, 35 vjeçe, dyshohet se qëlloi me një armë gjysmëautomatike drejt shtëpisë së artistes në Beverly Crest, duke vënë në rrezik jetën e saj, partnerit A$AP Rocky, tre fëmijëve të tyre të vegjël dhe personave të tjerë që ndodheshin në pronë. Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati të lënduar.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Ortiz dyshohet se ka qëlluar rreth 20 herë me armë të tipit AR, ndërsa prokuroria pretendon se ajo kishte planifikuar sulmin, duke përdorur edhe një paruke për t’u maskuar.
E akuzuara u paraqit në Los Angeles County Superior Court përmes avokatit të saj, ku deklaroi pafajësinë. Ndërkohë, kërkesa për uljen e masës së sigurisë u kundërshtua nga prokuroria, e cila e konsideron rastin jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Përveç tentativës për vrasje, Ortiz përballet edhe me dhjetëra akuza të tjera, përfshirë sulm me armë zjarri dhe të shtëna ndaj një banese të banuar.
Në listën e viktimave përfshihen edhe emrat e vërtetë të çiftit, Robyn Fenty dhe Rakim Mayers, si dhe familjarë të tyre.
Aktualisht, ajo mbahet në paraburgim dhe, nëse shpallet fajtore, rrezikon dënim me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, hetimet mbi motivet e sulmit vijojnë.