Futbolli spanjoll është goditur nga një lajm i rëndë, pas ndarjes nga jeta të Zeben Ramos, mbrojtësit 23-vjeçar të ekipit Las Palmas C, i cili ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në Gran Canaria.
Ngjarja ndodhi më 9 qershor, në zonën e Arucas, ku Ramos u përfshi në një përplasje automobilistike.
Ai qëndroi në gjendje kome për 15 ditë, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të rënda.
Klubi UD Las Palmas, i cili këtë sezon zbriti nga La Liga, reagoi me një deklaratë prekëse dhe publikoi një video përkujtimore në nderim të lojtarit.
UD Las Palmas shpreh dhimbjen më të thellë për ndarjen nga jeta të Zebensui Ramos González, i njohur në futboll si Zeben. Mbrojtësi i ekipit Las Palmas C, në moshën 23-vjeçare, nuk mundi të mbijetojë pas plagëve të marra në aksidentin tragjik
-thuhej në deklaratë.
Zeben Ramos përshkruhej si një mbrojtës i krahut të majtë, me shumë përkushtim dhe qëndrim shembullor, i cili me punën e tij kishte fituar vendin për t’u stërvitur edhe me “Las Palmas Atlético”, ekipin rezervë të klubit.
Familja ‘Verdhe’ është në zi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëlojtarët e tij. Zeben do të mbetet përjetë në zemrat tona
-përfundon deklarata zyrtare.
Vdekja e tij ka tronditur komunitetin sportiv dhe lënë pas dhimbje të thellë te të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.