Aktualitet

Transportoi cannabis sativa, arrestohet në Tiranë 36-vjeçari në kërkim!

Policia vuri në pranga një 36-vjeçar nga Lezha, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik droge në kuadër të operacionit “Vakumi”. Bashkë me një person tjetër që u arrestua në flagrancë pesë ditë më parë, i dyshuari akuzohet se transportonte rreth 34 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

I arrestuari, i identifikuar si shtetasi Mir Ndoj, u kap në Tiranë teksa udhëtonte me taksi. U arrestua falë bashkëpunimit mes Policisë së Lezhës dhe Komisariatit Nr.3 në kryeqytet. Ai kishte arritur të largohej gjatë ndërhyrjes së parë të forcave të rendit në fshatin Balldre, duke përfituar nga errësira dhe njohja e terrenit.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Vijon operacioni policor i koduar “Vakumi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. 5 ditë më parë, në fshatin Balldre, transportonte rreth 34 kg kanabis, në bashkëpunim me një shtetas tjetër (i arrestuar), kapet në Tiranë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

Këta dy shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal që kultivonte, prodhonte dhe shiste kanabis, në Lezhë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Vakumi”, kanë bashkëpunuar me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat, u kap në Tiranë ndërkohë që udhëtonte me taksi dhe u vu në pranga shtetasi:

M.N., 36 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se 5 ditë më parë, në rrugën e fshatit Balldre, në bashkëpunim me shtetasin D.N. (i cili u arrestua në flagrancë), po transportonte rreth 34 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, por gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, duke përfituar nga errësira dhe nga njohja e terrenit, ka mundur të largohet.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.