Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shtuar kërcënimet për të dërguar trupa federale në Çikago për një goditje ndaj emigracionit, duke paralajmëruar se qyteti “së shpejti do ta zbulojë” pse e riemërtoi Departamentin e Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”. Paralajmërimi vjen pas urdhrit të Trump për të rritur ndjeshëm deportimet në qytetet e udhëhequra nga demokratët, pas trazirave që përfshinë Los Angeles në fillim të këtij viti.
Të shtunën, Trump postoi në Truth Social një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që e tregon atë me uniformë ushtarake me horizontin e Çikagos, helikopterët dhe flakët në sfond. Sipër imazhit, Trump shkroi: “Më pëlqen aroma e deportimeve në mëngjes… Çikago është gati të zbulojë pse quhet Departamenti i Luftës.”
Paralajmërimi i Trump ka marrë reagime të mëdha nga zyrtarët lokalë. Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, shkroi në X se presidenti “po kërcënon të shkojë në luftë me një qytet amerikan”, duke shtuar, “Illinois nuk do të frikësohet nga një diktator, që aspiron të bëhet i tillë”.
Imigracioni i paligjshëm ka qenë një fokus qendror i presidencës së Trump. Në Ditën e Inagurimit, ai u zotua të deportojë “miliona e miliona” emigrantë pa dokumente. Që atëherë, ai ka zgjeruar sigurinë kufitare, ka trefishuar fondet e paraburgimit të Zbatimit të Imigracionit dhe Doganave, ka shkurtuar programet humanitare dhe ka ndaluar mijëra emigrantë të paligjshëm , ndër masa të tjera rregullatore.