Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një paketë investimi prej 700 milionë dollarësh për industrinë amerikane të qymyrit, me synimin të mbështetet funksionimi i minierave ekzistuese dhe ndërtimi i dy termocentrale të reja me bazë qymyrin.
Gjatë një konference për shtyp, Trump bëri të ditur se investimi do të përfshijë dhjetëra miniera e termocentrale, të vendosura kryesisht në shtetet që e mbështetën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
“Qymyri është një burim energjie të pastër. Si rezultat i investimit prej 700 milionë dollarësh që po njoftoj sot, ne do të mbrojmë 14 termocentrale me qymyr dhe 42 miniera qymyrguri, një numër ky i jashtëzakonshëm, dhe do të ndërtojmë dy termocentrale të reja me qymyr si dhe një terminal të madh eksporti. Ne po eksportojmë qymyr, që është një biznes vërtet i madh, dhe kjo është një energji reale”, u shpreh Trump.
Sipas presidentit amerikan, fondet do të mundësojnë modernizimin e infrastrukturës ekzistuese, zgjatjen e jetëgjatësisë së saj për dekada dhe garantimin e furnizimit me energji të besueshme me kosto të ulët për qytetarët amerikanë.
Ai shtoi se një pjesë e investimit do të përdoret për ndërtimin e një terminali të madh eksporti të qymyrit në Oakland, Kaliforni, me synimin për të forcuar pozicionin e SHBA-së në tregjet ndërkombëtare. Plani ka hasur menjëherë në kritika të forta nga demokratët dhe organizatat mjedisore.
Koalicioni për Energjinë dhe Mjedisin e Qëndrueshëm, që përfaqëson rreth 100 ligjvënës demokratë, e akuzoi administratën Trump se po favorizon industrinë e qymyrit në dëm të interesit publik.