Food & Drink Health & Beauty Live From Tirana

Turshi për t’u dobësuar?! Diola Dosti jep këshillat për një trup të shëndetshëm këtë verë!

E ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë nutricionistja Diola Dosti. Ajo na ka dhënë këshillat e saj për të qëndruar më të shëndetshëm tani që po afron dhe periudha e verës, si dhe nga çfarë duhet të kemi kujdes…

Si të ndihemi më mirë këtë verë dhe të jemi më të shëndetshëm?

Ekzistojnë shumë teknika, por unë ngelem tek ajo më tradicionalja, tek ajo lloj diete apo regjimi ushqimor që është i mbrojtur edhe nga UNESCO, që ne na përshtatet shumë mirë, që është dieta mesdhetare. Unë jam tek konsumi i atyre ushqimeve që kanë dhe ato acidet yndyrore por që janë të shëndetshme, që kanë djathin, mishin dhe peshkun. Pra kryesisht ushqime që ne i përqafojmë shumë mirë, lidhur dhe me gjeografinë tonë dhe mënyrën si ne jemi rritur, ushqime që i kanë ngrënë ndoshta edhe nënat tona para shumë vitesh dhe ne mund t’i absorbojmë më mirë, t’i sintetizojmë më mirë dhe për të na ndikuar më pozitivisht në trupin tonë.

A mendon se ndikojnë më shumë teknikat tradicionale apo ato të rejat?

Unë bazën e kam tek ajo tradicionalja. Nëse njerëzit thonë që nuk hanë turshitë, turshitë janë një mënyrë shumë e mirë për t’u dobësuar, për të humbur peshë në mënyrë të shëndetshme dhe kjo lidhet me prezencën e probiotikëve. Probiotikët dhe ato bakteret e mira, janë pikërisht fusha më e re e studimit në dietologji dhe nutricion, që është pjesa e mikrobiomës. Pra, miksi i baktereve që ne i kemi në aparatin tretës, që kanë një rol të rëndësishëm.

Probiotikët tani i marrin dhe me pilula…

Ka një problem, edhe marrja e probiotikëve në formë të tillë, duhet bërë kujdes. Nuk duhen marrë më shumë seç duhet sepse mund të krijojnë myk në trup, e para. E dyta, nuk duhen marrë pa prebiotikët, sepse prebiotikët janë bakteret e mira. Dhe këto baktere të mira, duan ushqim që të qëndrojnë të mira. Ushqimi i baktereve të mira janë prebiotikët dhe duhen marrë bashkë me probiotikë, pra kombinim që kanë edhe probiotikë edhe prebiotikë bashkë, ose duhet të hamë qepën e njomë, farat chia, që kanë prebiotikë natyralë. Pra, duhet bërë kujdes edhe në përzgjedhjen e suplementëve, sepse tani nuk ka ngelur më njeri pa sugjeruar suplemente, shkojnë në farmaci e marrin lloj-lloj gjërash, kështu që duhet pasur një kujdes të shtuar.