Pasi u vendos nën hetim për keqtrajtim të miturish, 33 vjeçarja nga Durrësi dëshmoi në polici duke hedhur poshtë akuzat se braktisi 3 fëmijët e saj 5, 10 dhe 12 vjeç. Gruaja theksoi se ështe e divorcuar e detyrohet të punojë dhe akuzon ish-vjehrrën se i ka ngritur kurth.
Sipas burimeve, fëmijët kishin rreth tre ditë pa ushqim dhe prej një muaji, dy më të mëdhenjtë, nuk ndiqnin shkollën.
Ata janë gjetur të mbuluar me batanije për shkak të të ftohtit, ndërsa banesa ishte në gjendje të rëndë rrëmuje, me rroba të shpërndara në dysheme.
Fjalët e Blerina Bashës:
Kam 5 vjet e divorcuar. Punoj banakiere dhe të tre fëmijët i lë bashkë kur iki në punë. Paguhem 400 mijë lekë në muaj dhe paguaj 300 mijë qiranë.
E kam të pamundur që të rri me fëmijët, se s’kam të ardhura me çfarë të paguaj qiranë dhe t’i ushqej. Ky është kurth nga ish-vjehrra, e cila më ka paditur se braktis fëmijët. Si mund ta bëj këtë kur unë punoj?
Më ka hyrë pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijët të flasin keq kundër meje. Nuk e di, por kjo është e patolerueshme: si vjen në shtëpinë time pa leje dhe më denoncon në polici?
Do t’i mbroj fëmijët, se babai i fëmijëve ka qenë në burg në Itali për 5 vjet. Doli nga burgu dhe ka paguar për fëmijët 180 mijë lekë të vjetra. Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj?
Unë fëmijët nuk i braktis kurrë, se jam nënë. Djali i dytë vuante nga epilepsia dhe kam shkuar në spitale për kurim për një kohë të gjatë, tani është më mirë. Veshkën e shes e fëmijët nuk i braktis. Fëmijët nuk i lë në jetimore.