Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është parë së fundmi në stadiumin Emirates, ku ndoqi nga afër ndeshjen mes Arsenalit dhe Aston Villa-s, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e tifozëve dhe mediave.
Këngëtarja ishte e ulur në zonën VIP të stadiumit, ku u shfaq në humor të mirë, duke bërë foto dhe duke shijuar atmosferën sportive.
Në krah të saj ishte edhe partneri i saj, aktori Callum Turner, çka e bëri paraqitjen edhe më të komentuar në rrjetet sociale.
Prania e Dua Lipës në Emirates ka ringjallur sërish diskutimet mbi skuadrën që ajo mbështet realisht.
Artistja është parë edhe më herët e veshur me fanella të Arsenalit dhe ka postuar fotografi që tregojnë simpatinë e saj për klubin londinez.
Megjithatë, vetë Dua ka pranuar publikisht se zemra e saj anon diku tjetër. Në një intervistë të vitit 2021, ajo zbuloi se skuadra e saj e preferuar është Liverpooli, edhe pse pjesa tjetër e familjes së saj janë tifozë të zjarrtë të Arsenalit.
Si ta them këtë në mënyrën më të mirë të mundshme? A mund të thuhet ‘tifoze nderi e Liverpoolit’?
-u shpreh ajo me humor në një emision televiziv.
Vetëm sepse babai dhe vëllai im mbështesin Arsenalin dhe mendoj se do të kisha shumë telashe nëse do të thosha se mbështes vetëm Liverpoolin. Por unë e dua Liverpoolin dhe ai ka gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time
-kishte shtuar këngëtarja.
Kështu, edhe pse shfaqet shpesh në stadiumin e Arsenalit, duket se Dua Lipa mbetet e ndarë mes familjes dhe zemrës së saj futbollistike.