Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Kupchan shton se veprimi amerikan synon të ushtrojë presion mbi liderët e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë. Gjithashtu thekson rëndësinë e kompromisit.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Kupchan, sa i rëndësishëm është vendimi i Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën?
Charles Kupchan: Mendoj se kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për një kohë të gjatë, nuk ka avancuar. Me ndryshimin e administratës në Uashington, kishte shpresë se presidenti [Donald] Trump – ashtu si gjatë mandatit të tij të parë – do të mund të riangazhohej në Dialogun Strategjik me Kosovën, në përpjekje për të ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Dhe, tani, kemi një njoftim nga Ambasada [amerikane] në Prishtinë, që në thelb thotë: po tërhiqemi, po e pezullojmë Dialogun Strategjik.
Në shumë aspekte, kjo është një shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë në Kosovë, e cila praktikisht ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet në fillim të këtij viti.
Por, po ashtu, është rezultat i një frustrimi të grumbulluar: janë dashur disa muaj për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani Kurti fyen Gjykatën Kushtetuese. Para zgjedhjeve, Kurti ka marrë vendime për një gamë të gjerë çështjesh – nisur nga ndalimi i dinarit serb deri tek instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri apo mosçuarja përpara e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ka një perceptim të gjerë këtu në Uashington dhe në Evropë se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës.
Ndaj, mendoj se pezullimi i Dialogut Strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi.
Radio Evropa e Lirë: Ambasada amerikane tha se veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Kurti, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”. Sa i fortë konsiderohet ky paralajmërim në Uashington?
Charles Kupchan: Eshtë një paralajmërim i fortë. Por, nuk mendoj se është ndryshe nga disa deklarata të bëra gjatë administratës së [presidentit Joe] Biden, kur anëtarë të ndryshëm flisnin hapur për veprimet e Qeverisë Kurti, duke i konsideruar si të panevojshme dhe provokuese.
Pas zgjedhjeve kishte shpresë se Kurti do të merrte një qëndrim më të moderuar dhe do të ulte nacionalizmin që përdorte si mjet politik para zgjedhjeve, por duket se kjo nuk ka ndodhur.
Ne shohim një vend që, për pjesën më të madhe të këtij viti, nuk ka pasur një qeveri funksionale. Ky është një problem.
Ne jetojmë në një botë me shumë probleme të mëdha – qoftë lufta në Ukrainë, situata në Lindjen e Mesme, tensionet në rritje me Kinën – dhe gjëja e fundit që na nevojitet, është rritja e paqëndrueshmërisë në Ballkan.