Aktualitet Politikë

Udhërrëfyesi 2030, Rama: Garanton që vendi të ecë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm!

Kryeministri Edi Rama u ndal te miratimi i Udhërrëfyesit Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, dokument strategjik që përcakton objektiva konkrete e të matshme për zhvillimin e Shqipërisë deri në fund të kësaj dekade.

Rama theksoi se ky udhërrëfyes është një plan i qartë që orienton institucionet drejt prioriteteve të lidhura me ekonominë, arsimin, shëndetësinë, mjedisin, mirëqeverisjen dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Menjëherë pas ditës së shënuar në Bruksel, ku hymë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne miratuam këtë dokument që përcakton objektiva konkrete për Shqipërinë që duam të ndërtojmë deri në fund të kësaj dekade.

Kryeministri shtoi se përmbushja e 33 kapitujve të negociatave sipas kalendarit të dakordësuar është një objektiv madhor, por paralelisht me këtë, Udhërrëfyesi 2030 garanton që vendi të ecë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, duke investuar në kapitalin njerëzor, forcuar institucionet dhe përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

Kryeministri njoftoi edhe miratimin e një partneriteti strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027–2031, që do të mbështesë Shqipërinë në fusha kyçe si transformimi ekonomik, rritja e gjelbër, drejtësia dhe mirëqeverisja.

Integrimi europian nuk është thjesht një proces formal mes nesh dhe Komisionit Europian, por lidhet drejtpërdrejt me aftësinë tonë për të ndërtuar institucione më të forta, për të investuar te njerëzit dhe për të planifikuar zhvillimin afatgjatë.

Kreu i qeverisë shtoi se Shqipëria duhet të përgatitet për të qenë vend i standardeve dhe përgjegjësive të shtetit në raport me qytetarin, e të dyjave bashkë, në raport me të nesërmen e atdheut.