Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina do të takohen për bisedime të drejtpërdrejta për paqe, për herë të parë pas më shumë se tre vjetësh në Stamboll. Megjithatë, përbërja e tyre do të jetë në nivel teknik, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë.
Bisedimet mbahen në Pallatin Dolmabahçe, në Stamboll dhe do të zhvillohen në mënyrë private, pa praninë e mediave, kanë raportuar mediat ruse. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u nis drejt Turqisë, sipas agjendës së tij, edhe pse Putin refuzoi të udhëtonte për të marrë pjesë në bisedime. Zelensky do të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara, por pa marrë pjesë në bisedimet në Stamboll.
Më herët deklaroi se ishte i gatshëm të takohej vetëm me Putinin dhe jo me zyrtarë të tjerë të nivelit të ulët nga Moska. Pritshmëritë që presidenti amerikan, Donald Trump, të merrte pjesë në bisedime u shuan kur një deklaratë e Kremlinit njoftoi se Putin nënshkroi dje një urdhër për të emëruar katër negociatorë dhe katër ekspertë që do të përfaqësojnë Rusinë.
Deklarata e Kremlinit konfirmoi se zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Aleksandr Fomin, i cili kishte marrë pjesë në bisedimet e para mes palëve pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, do të jetë pjesë e delegacionit rus.
Delegacioni drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i Putinit, i cili gjithashtu kishte marrë pjesë në raundin e fundit të bisedimeve, më shumë se tre vjet më parë. Medinsky konsiderohet si figurë me ndikim në promovimin e pretendimeve historike të Rusisë ndaj një pjese të madhe të territorit ukrainas dhe ka qenë autor i disa librave shkollorë me interpretim nacionalist të historisë ruse, që janë kontestuar nga historianë të pavarur.
Ndër negociatorët e emëruar është edhe Igor Kostyukov, drejtor i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës (GRU) – agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë. Kostyukov është përmendur nga Kremlini si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse.
Negociatorët kishin zhvilluar disa raunde bisedimesh në mars të vitit 2022 në Bjellorusi dhe në Turqi, por ato bisedime u ndërprenë pa rezultat. Presidenti ukrainas, Zelensky, i cili kishte sfiduar Putinin për një takim ballë për ballë në bisedimet e Stambollit deklaroi më herët gjatë javës se mungesa e Putinit është një sinjal i qartë se ai nuk është i interesuar realisht për paqe.