Ukraina tha se ka riatdhesuar më shumë se 1.200 trupa të ushtarëve të vrarë gjatë luftës së nisur nga Rusia më shumë se tre vjet më parë. Kthimi i trupave të pajetë u bë në kuadër të një sërë shkëmbimesh të të burgosurve të luftës dhe të të vrarëve që palët kanë realizuar së fundi.
“Si rezultat i masave të riatdhesimit, trupat e 1.212 mbrojtësve të rënë janë kthyer në Ukrainë”, thuhet në një njoftim të Shtabit Koordinues për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, më 11 qershor.
Agjencia përgjegjëse për shkëmbimin e të burgosurve të luftës tha se trupat janë kthyer me ndihmën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
LEXO EDHE: Sulmet ruse me dronë në Harkiv vrasin 2 njerëz!
Kjo agjenci nuk dha detaje të tjera rreth shkëmbimit dhe tha se ende është në proces të identifikimit të trupave të pajetë. Ky shkëmbim është pjesë e një marrëveshjeje me Rusinë, përmes së cilës të burgosurit e luftës janë transportuar me autobusë në të dy anët e kufirit.
Kryenegociatori i Rusisë në bisedimet e paqes të mbajtura në Stamboll më 2 qershor, ku u arrit marrëveshja për shkëmbime, tha më 11 qershor se Rusia ka pranuar 27 trupa nga Ukraina.
Marrëveshja synon riatdhesimin e rreth 12.000 trupave të ushtarëve të vrarë gjatë luftës. Edhe pse bisedimet në Stamboll prodhuan një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve, ato nuk sollën asnjë përparim drejt përfundimit të konfliktit.
Kievi ka shprehur gatishmëri për të pranuar propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 30-ditor. Moska e ka kundërshtuar këtë ide dhe ka deklaruar se disa kushte – të papranueshme për Ukrainën – duhet të plotësohen paraprakisht.
Më herët gjatë kësaj jave, të dyja palët shkëmbyen të burgosur të luftës nën moshën 25-vjeçare. Ndër të liruarit kishte pjesëtarë të marinës, forcave tokësore, forcave të mbrojtjes territoriale, forcave ajrore, gardës kombëtare, dhe të tjerë./REL