Bota Lajmet e fundit

Uragani Ida “i pamëshirshëm” në SHBA/ Biden viziton Luizianën!

Të paktën 60 persona kanë humbur jetën në 8 shtete amerikane, si pasojë e Uraganit Ida, që gjithashtu ka shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale. Ndërkohë në kaosin e shkaktuar dhe në kushtet e rënduara të motit autoritetet  po mundohen të ndihmojnë personat në nevojë e të pastrojnë pasojat e dëmeve.

Disa prej viktimave u mbytën në kohën kur ujërat morën makinat e tyre, të tjerë u morën përpara nga rryma e ujit, ndërsa pati edhe fatkeqë që u goditën nga pemët e rrëzuara nga era e fuqishme ose u mbytën nga ujrat në bodrumet e apartamenteve.

Numri i viktimave ishte më i larti në New Jersey, ku u raportuan të paktën 25 viktima, të paktën 16 në New York. Përmbytjet e mëdha nxorën në pah një problem të madh në New York, pasi shumica e shtëpive ku banorët u gjetën të vdekur ishin bodrume të apartmenteve, të konvertuara ilegalisht në banesa.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden vizitoi shtetin e Luizianës që u godit nga uragani Ida dhe premtoi mbështetje për të prekurit.

Biden gjatë vizitës u takua me qytetarët në shtetin e Luizianës (Louisiana) i cili ka pësuar dëme të mëdha nga uragani.

Duke u nisur në orët e para të mëngjesit nga kryeqyteti Washington, Biden mbërriti në rajon dhe gjatë një takimi me zyrtarë në New Orleans ai mori informacione lidhur me punimet e kryera pas uraganit.

Pritet që Biden të inspektojë nga ajri zonat e dëmtuara dhe më pas të takohet me banorët në Lafourche Parish dhe të dëgjojë problemet e tyre.

Për gazetarët që e ndjekin gjatë vizitës Biden ka bërë të ditur se do të ofrojnë mbështetje në mënyrën më të fuqishme për të prekurit nga uragani. Ai po ashtu ka dhënë mesazhin se edhe qeveria federale dhe ajo rajonale do të kryejnë me shpejtësi punimet në fjalë.