Food & Drink

17 janari, Dita Botërore e Picës/Histori dashurie nga Italia!

“Kam një histori dashurie me picën. Le të themi se është një lloj buke, dashurie e karbohidratesh”. E thonte Julia Roberts në një skenë ikonike të filmit romantik “Ha, Lutu, Dashuro”, bazuar në romanin autobiografik me të njëjtin titull të autores Elisabeth Gilbert. Në një udhëtim ironik e të çliruar, shkon edhe në Itali, për të shijuar picën e famshme Margherita në historiken Pizzeria Da Michele di Napoli.

Pica është simboll i “street food”-it të Italisë, ushqimit më të dashur në botë. E në çdo 17 janar, festohet Dita Ndërkombëtare e Picës. Një datë e zgjedhur jo pa lidhje, pasi lidhet me Sant’Antonio Abate, mbrojtësin e bukëpjekësve e picajolëve e gjithashtu simbol të atij që është qyteti i cili përfaqëson picën në botë: Napolin.

Arti i picës dhe picajolëve napoletanë është shpallur Pasuri Kulturore e Njerëzimit nga Unesco. Çdo mjeshtër ka sekretet e tij, por thuhet se përveç ujit të Napolit, sekreti i picës është brumi i hollë, jo më shumë se 1 cm e gjysmë, që hapet me veprime të caktuara e piqet në furrë, në temperaturë rreth 500 °C.

Sot pica është një pjatë e vërtetë. Kuzhinierët dhe prodhuesit mjeshtra të picave, punojnë intensivisht në miell, brumë, mbushje, kombinime ekskluzive. Në fakt ka pafund variacione, nga mielli integral e deri te pa gluten.