Celebrities Showbiz

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit cakton mbledhjen e bordit lidhur me incidentin në “Oscars 2022”!

Ai që u duk si një skeç i pafajshëm me nota humori nga ana e komedianit, Chris Rock dhe që në fillim u intepretua si i tillë nga të pranishmit e ata që ndoqën ceremoninë, u kthye në një incident të pakëndshëm, në një akt dhune. Will Smith, nuk e gëlltiti batutën për flokët e bashkëshortes, e cila vuan nga një sëmundje autoimune që shkakton rënien e tyre. Aktori iu drejtua skenës e nuk i rezistoi tundimit për t’i dhënë një shuplakë të fortë Rock kur ky i fundit po prezantonte fituesin për kategorinë e dokumentarëve.

Së fundmi mësohet se Bordi i Guvernatorëve të Akademisë ka ricaktuar një takim për të diskutuar shuplakën e Will Smith ndaj Chris Rock. Ky veprim vjen pas vendimit të Smith për të dhënë dorëheqjen nga Akademia.

Në një letër të marrë nga “Fox News Digital”, presidenti i Akademisë, David Rubin, bëri thirrje për një takim të bordit që do të mbahet të premten, më 8 prill. Qëllimi i takimit është “të adresojë sanksionet e mundshme për Will Smith në përgjigje të veprimeve të tij gjatë “Oscars” më 27 mars”, sipas letrës.

Pas dorëheqjes së Smith nga Akademia të premten, më 1 prill, pezullimi ose përjashtimi nuk janë më një mundësi dhe plani kohor i përcaktuar me ligj nuk zbatohet më. Është në interesin më të mirë të të gjithë të përfshirëve që kjo të trajtohet në një në kohën e duhur.

Aktori njoftoi dorëheqjen e tij në një deklaratë të premten e kaluar, duke theksuar se e ‘ka tradhtuar besimin e Akademisë’. Gjithashtu Smith vuri në dukje se ai privoi kandidatët dhe fituesit e tjerë nga shansi i tyre për të festuar dhe tha se do të pranojë çdo pasojë të mëtejshme nga bordi. Menjëherë pas kësaj, Rubin në një deklaratë tjetër tha se Akademia e ka pranuar dorëheqjen dhe do të vazhdojë të ecë përpara me procedurat disiplinore kundër tij.

Akademia po heton gjithçka që ndodhi për t’i dhënë aktorit dënimin e merituar, ndërsa familjarët kanë bërë me dije për “Entertainment Tonight” se po mendojnë që Will duhet të heqë dorë momentalisht nga aktrimi. Ata mendojnë se ai duhet të bëjë një pauzë, t’i japë pak kohë vetes pas asaj që ndodhi si dhe të shkojë në terapi. Vendimi i Smith nuk dihet ende, ndërsa sa i përket Jada-s, ajo ndihet e qetë dhe e ka lënë pas krahëve tashmë atë që ndodhi.

Disa nga projektet e ardhshme të aktorit të njohur Will Smith janë ndërprerë, pas incidentit aspak të zakontë që ndodhi mes tij dhe komedianit Chris Rock në skenën e ‘Oscars’. Pasi e goditi me shuplakë Chris, Will doli në skenë për të marrë çmimin e aktorit më të mirë për rolin e tij si Richard Williams në filmin, ‘King Richard’.