Aktualitet Politikë

Akuza për parregullsi e tërheqje të minutave të fundit nga Primaret e PD-së!

Ndërsa prej orës 08:00 të mëngjesit, në PD votohet në Primaret nga ku anëtarë e simpatizantë do të zgjedhin emrat e kandidatëve për vendoret e vitit të ardhshëm, nuk mungojnë denoncimet për parregullsi. Në shenjë proteste, disa u tërhoqën nga gara, ndërsa hodhën akuza për zgjedhje të padrejta e të pabarabarta. Prania e vetëm një emri në fletën e votimit, bën që të mos ketë garë në nëntë bashki. Kjo edhe për shkak të tërheqjeve në minutën e fundit, krahas mungesës së rivalëve.

Për Primaret, që në fillim, në katër bashki ishte vendosur vetëm një kandidat. Në Shkodër, Bardh Spahia; në Elbasan, Luçiano Boçi; në Kukës, Admir Sinamati e në Poliçan, Behar Xhaferaj. Në Lezhë, problemet me listat e anëtarëve e të simpatizantëve të PD-së që votojnë për herë të parë, për disa orë bllokuan procesin. Në Tropojë, kandidatja Feride Rrahmanaj pretendoi se 600 anëtarë u zhdukën nga lista ndaj u tërhoq sot. Kryetari demokrat Sali Berisha pranoi ngërçin.

Unë nuk mund të them kurrë se ky është një proces i përsosur, por asgjë nuk mund të errësojë rezonimin e tij në mbarë Shqipërinë, në demokracinë shqiptare.

Në degën e Partisë Demokratike në Kuçovë, kryetari Myslim Haxhiu dhe kandidatja Brikena Koroveshi dhanë dorëheqje. Më parë, hodhën akuza se bashkia po i falet Lefter Maliqit, kandidat i Partisë së Lirisë, forcës politike që drejtohet nga Ilir Meta.

Gjithashtu, kjo parti synon Memaliajn, Skraparin, Përrenjasin e Kamzën. Orientimi i votës u denoncua edhe në Berat nga kandidati Sazan Guri. Në Malësinë e Madhe nuk u ngrit asnjë qendër votimi. Berisha u shpreh:

Në Malësinë e Madhe pati kandidatë, por kishte disa probleme për të cilat u shty gara.

Në Himarë, Finiq, Dropull nuk ka zgjedhje, pasi Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules kërkon t’i mbajë që të treja bashkitë. Minoriteti maqedonas synon Pustecin.

Zyrtarisht, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se votimet për primaret do të zgjasin deri sa të ketë votuar edhe personi i fundit edhe pse ora 18:00 shënon orarin e mbylljes zyrtare të procesit të votimit.

Deri rreth orës 13:00 votuan mbi 30 mijë persona. Albana Vokshi tha se “ka interesim të madh të votuesve, pavarësisht kushteve atmosferike në Tiranë e rrethe të tjera”.

Numri i votuesve:

Qarku Shkodër – 1595

Qarku Lezhë – 3020

Qarku Kukës – 2855

Qarku Dibër – 2200

Qarku Durrës – 1970

Qarku Tiranë – 7300

Qarku Elbasan – 2149

Qarku Korcë – 2620

Qarku Berat – 975

Qarku Fier – 2555

Qarku Vlorë – 1872

Qarku Gjirokastër – 1063