Bota

Bahmut, luftime të ashpra Rusi-Ukrainë!

Nuk kanë të ndalur luftimet e ashpra në afërsi të qytetit lindor ukrainas të Bahmutit. Në njoftimin e fundit, ushtria ukrainase bën të ditur se forcat ruse kanë kryer dhjetëra sulme në 24 orët e fundit. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raporton për 59 përplasje në frontin përgjatë Bahmutit, duke përfshirë zonat e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës, Marinkës e Shaktarskut. Prej disa javësh, në këto pjesë të territorit janë zhvilluar luftime intensive.

Një ditë më parë, ushtria ukrainase u shpreh se nuk ka parë reduktim të operacioneve ruse në zonën e Bahmutit, pavarësisht pretendimeve të disa analistëve ushtarakë se ofensiva disamujore e Moskës është dobësuar.

Instituti për Studime të Luftës me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruante:

Ofensiva e gjerë pranverore e Moskës duket se ka kulmuar dhe komanda ushtarake ruse do të duhet të vendosë një numër të madh të forcave në frontin e luftës, për të rinisur operacionet e ofensivës.

Ndërkaq, trupat ukrainase kanë kryer sulme ajrore ndaj pozicioneve të Rusisë në këtë rajon dhe raportohet se rrëzuan një helikopter ushtarak rus të llojit Mi-24. Forcat e Mbrojtjes Territoriale në Herson sot bënë të ditur se ka patur një sërë sulmesh e bombardimesh në 24 orët e fundit. Në një deklaratë theksohet:

Disa sulme ajrore kanë goditur zonat e banuara dhe dy civilë u vranë.

Këshilli i qytetit të Hersonit udhëzoi banorët që jetojnë në afërsi të lumit Dnjepër, që të largohen e të vendosen “në zona të sigurta”.

Për shkak të sulmeve të vazhdueshme nuk është e mundur të ofrojmë furnizime të qëndrueshme të ujit e ngrohjes. Opsioni më i mirë për të mbrojtur veten e gjithashtu të afërmit tuaj është që të evakuoheni për në zona më të sigurta.

Zyrtarët thanë se kanë organizuar transport me autobusa nga Hersoni për në Odesë dhe se 59 civilë u evakuuan ditën e djeshme.