Aktualitet Politikë

Berisha shpall Ramën armik: Duhet t’ia mbathësh, asgjë nuk na ndal!

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në podiumin e protestës para godinës së Kryeministrisë e konsideroi armik kreun e qeverisë, Edi Ramën.

Ai u shpreh se e konsideron armik sepse ideali i tij është pushteti, kurse i demokratëve është liria.

“Ky është uragani i lirisë, keni ardhur nga të gjitha anët, zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Keni ardhur nga mijëra kilometra larg, nga SHBA, Europa, për t’u bashkuar me frontin e shpëtimit të Shqipërisë. Zoti ju bekoftë. Mirënjohje për djemtë dhe vajzat, gratë e burrat që lanë gjithçka dhe u bashkuan në protestë, duke u bërë burim drite, dielli, shprese për mbarë shqiptarët.

Sonte më shumë se kurrë, mendjet, zemrat e sytë e mbarë shqiptarëve janë drejtuar tek ju. Erdhën nga të katër anët në bulevard sepse ju thirri ora e lirisë, ju thirri ora e Shqipërisë.

Pushtimi ju ngriti në këmbë, për të shpëtuar vendin. ka vendosur monizmin plotë, ai ia mbathi, koha e tij është e numëruar.

Edi Rama, ne të dy jemi armiq, është e rëndë ta them këtë, por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Ti do vetëm pushtetin, kurse unë me këta buRra, gra, djem e vajza kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë. Kur të themi mbathja do t’ja mbathësh, shpojmë cdo blind, asgjë s’na ndal ne në përpjekjet për liri”.

Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten duke varfëruar e poshtëruar qytetarët ndërsa unë dhe këta protestues këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin”, tha Berisha.

Në fillim të protestës me moto “Shqipëria në Rrezik”, u mbajt ‘himni’ dedikuar këtij tubimi, ndërsa vijojnë të mbajnë fjalimet e tyre në podium aktivistë të ndryshëm, për ti lënë radhën më pas figurave politike.

Podiumi i fjalimeve u ngrit në sheshin para kryeministrisë. Vetë ish kryeministri mbërriti në selinë e PD rreth orë 19:00, ku ka zhvilluar një takim me deputetët demokratë, mbështetës të tij, para se t’i drejtohet bulvardit Dëshmorët e Kombit.

Qytetarët e mbledhur në protestë, mbanin pankarta kundër qeverisë në duar, ndërsa në kor vijuan me thirrjet ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.

Protesta nisi me dy këngëtarët Renis Gjoka dhe Big Basta të cilët kënduan këngën himn të protestës “Një hap përpara”.

Protestës iu bashku edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila qëndroi krah ish kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortes së tij, Liri Berisha.

Sakaq një numër i konsiderueshëm efektivësh ishin në terren për mbarëvajtjen e protestës, ndërsa në godinën e kryeministrisë dyert, ashtu si në cdo protest u ‘blinduan’ me llamarina.

Në fjalimin e tij përpara protestuesve, Sali Berisha duket se ka paralajmëruar protesta të tjera.

“Do i presim biletën, ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë, këtë javë shpresoj që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe i bëj thirrje nga kjo tribunë, që të hapë negociatat që të mos ndëshkojë shqiptarët për Ramën, sepse ato do e nxjerrin lakuriq siç është, demoni i pushtetit, demon i Europës”, tha Berisha.