Pas pesë sezonesh mbushur me skema, tradhëti dhe marrëdhënie të ndërlikuara, personazhi pafundësisht i zgjuar i Bobby Axelrod interpretuar nga një Damien Lewis gjenial, e gjen veten mes një meseleje prej së cilës nuk gjen dot rrugëdalje. Gjeniu i fondeve offshore të investimit (hedge funds) në qëndër të serialit të Showtime “Billions”, edhe këtë sezon vazhdon betejën nerv më nerv me prokurorin e papërmbajtur Churck Rhodes (Paul Giamatti), një luftë që duket ta ketë fituar gjithmonë. Por jo kësaj here. Shfaqja e tij e fundit është në Zvicër, larg imazhit të luftëtarit të pashpirt në New York.
Fati i personazhit është i lidhur ngushtësisht me atë të aktorit që e luan. Menjëherë mbas daljes së episodit të fundit të sezonit të pestë Lewis lajmëroi se pas më shumë se një dekade ai do të largohet nga seriali.
Mbase mund të ketë një moment kur mund të kthehem… por për tani Axe kaq e pat.
Lajmi i trishtë erdhi mbas një sezoni shumë të vështirë për serialin e kthyer në hit, prodhimi i të cilit u pezullua për shkak të pandemisë, duke e bërë gjithashtu të çuditshme mënyrën si ai u transmetua. 7 episodet e para u transmetuan në 2020, ndërsa pesë seritë e fundit në vjeshtë të këtij viti. Po aq e trishtë ishte edhe humbja e bashkëshortes së Lewis. Në Prill të 2021 aktorja Helen McGrory u nda nga jeta, kjo ishte edhe arsyeja pse shumë nga skenat e Axe e tregojnë atë larg New York-ut (e jusitifikuar me Covid dhe distancimit social), skenat të cilat janë xhiruar pak kohë mbas ngjarjes së hidhur.
Për serinë e fundit të këtij sezoni, “No Direction Home”, finalja e shkruar nga krijuesit e serialit, Brian Koppelman dhe David Levien, Axe rikthehet afër skuadrës së tij. Në një orë të ngarkuar me manovra nga më të pabesueshmet, ai tenton të dalë nga një kurth financiar shumë i vështirë që lidhet me kthimin e fondit të tij të investimeve – Axe Cap – në bankë dhe investimin në një biznes (të ligjshëm) marijuane. Gjërat komplikohen edhe më shumë kur Mike Prince – antagonisti i sezonit të fundit të Axe, bashkohet me Chuck dhe Taylor Mason për të shkatërruar një herë e mirë bjondin miliarder. Fundi i Axe është pikërisht ai që (s)prisnim. Në fund ai është arrogant kryekëput, tërheqës dhe çarmatosës karshi kundërshtarëve, me fjali si breshëri plumbash, duke evokuar zgjuarsi, elokuencë me plot referenca nga kultura POP.
Nuk mund ta kaloj jetën time si një kafshë kafazi. Por as nuk dua të rri o të luftoj.
– i thotë Axe – Wendy Rhodes (Maggie Siff), të besuarës së tij prej vitesh dhe së fundmi edhe fiksimit të tij romantik.
Është befasuese kur dëgjon Axe të shqiptojë këtë frazë por e kuptueshme por është e kuptueshme kur lexon intervistën e Lewis, i cili luan një tjetër personazh qëndror në një tjetër serial të rëndësishëm të Showtime – “Homeland”, nga i cili u largua po aq bujshëm.
Është e vështirë të vazhdosh të gërmosh nga pikëmapja krative.
Por çfarë është “Billions” pa personazhin e saj kryesor? Traileri i fundit nga sezoni i gjashtë nis aty me Mike Prince të ulur në karrigen e Axe. Busulla e tij morale sidoqoftë ishte shumë e ndryshme nga pararendësi, po a do të fillojë karakteri i tij të korruptohet, diçka që nis në epsodin e 11 të sezonit të pestë, kur ai mashtron vajzat e tij për të arritur një marrëveshje biznesi. Mbase motivi i tij kryesor ishte Axe… Por siç shihet në trailer, gjithçka për Prince duket të jetë vetëm fillimi. A do të jetë ai i ‘keqi’ i ri i historisë?
Ikja e protagonistit mund të shohë edhe personazhet mbështetëse të ngrihen për të marrë një copëz nga torta. (Nga fundi i “No Direction Home” Mafee dhe Dollar Bill largohen nga Axe Cap për shkak të pronarit të ri dhe me siguri do të jenë rivalë të Prince). Lëvizja sizmike që ju shkaktua serialit nga ikja e Lewis është e fortë, por ADN-ja e show-ut është e ngjashme me atë të një telenovele si “ER” apo “The West Wing” protagonistët e të cilave kanë patur fate ikjesh dhe rikthimesh të bujshme. Është e vështirë për besnikët e serialit të imagjinojnë një episod, qoftë edhe një të vetëm pa heroin e tyre, por dita nuk është e largët… “Billions” rikthehet në 23 Janar, më pak se një muaj larg.
Pyetja është: A do ti jepnit një shans?!