Aktualitet

Britania e Madhe nuk pret, gati plani për ndalimin e azil-kërkuesve shqiptarë!

Javën e ardhshme, Suella Braverman, ministre e Punëve të Brendshme në Britaninë e Madhe pritet të publikojë planin për ndalimin e azil-kërkimit të shqiptarëve që në vendin e saj shkojnë me gomone. Sipas gazetës The Sun që citon një burim qeveritar britanik, të gjitha këto ndryshime pritet të ndodhin përpara Krishtlindjes.

Ndërkohë, janë më shumë se 12 mijë shqiptarë në pritje që t’u shqyrtohet kërkesa për azil në Britani. Deri tani, mediat britanike kanë zbuluar se ky plan do ta përfshijë Shqipërinë në listën e bardhë, duke mos i lejuar shqiptarët që të kenë të drejtë për të kërkuar azil. Një ndryshim i tillë drastik vjen në një kohë kur në 11 muajt e parë të vitit që po lemë pas, në Angli shkuan me gomone mbi 12 mijë shtetas shqiptarë.

Deputetëve  konservatorë, kryeministri britanik, Rishi Sunak u tha se për të, “prioritet numër një është korrigjimi situatës me emigracionin e paligjshëm”.  Ndërkohë, deputetja laburiste, Yvette Cooper ngriti shqetësimin se “është totalisht në kaos”, sistemi i shqyrtimit të azilit në Ministrinë e Brendshme, që ndryshe njihet si Home Office.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, gazeta The Sun konstaton se trafikantët shqiptarë nuk ndalen e në Tik Tok vijojnë të reklamojnë kalimin e La Manshit me gomone. Po ashtu i bën jehonë fjalëve që shkruhen në reklama. Në një prej tyre jepet garanci e plotë për kalimin, ndërsa çmimi për t’u paguar për udhëtimin prezantohet si ofertë për të mos u humbur.

Hajde Shqipe. Kalim 1000.000%. Rrugë kur deti te jetë 40 centimetra e poshtë. 40 persona në gomone 12 metra e gjatë. Hajde vëllezër e motra, me super çmime 3.000 stërlina.

Deputetja e zonës së Doverit ku edhe mbërrijnë emigrantët, Natalie Elphincke ka deklaruar për gazetën The Sun se duhet të ndryshojë ligji, në mënyrë që të tilla reklama në Tik Tok të konsiderohen vepër penale se sipas saj, “promovojnë emigracionin e paligjshëm”.