Auto & Moto

‘Çelësi’ për bateritë e makinave elektrike…

Në SHBA vazhdon të rritet kërkesa për automjete elektrike edhe si rezultat i subvencioneve nga qeveria. Por një mungesë e mundshme e burimeve të mineralit litium, i cili përdoret për prodhimin e baterive, mund ta vonojë tranzicionin nga automjetet me naftë tek makinat elektrike. Materiali në vazhdim, i përgatitur nga kanali PBS, na çon në Kaliforni, pranë liqenit “Salton Sea”, ku depozitat e mineralit litium, të zbuluara kohët e fundit, mund të ndihmojnë në plotësimin e nevojave energjetike të vendit dhe gjithashtu të mbështesin një rajon të rrënuar ekonomikisht.

Në pjesën më juglindore të shkretëtirës së Kalifornisë Jugore ndodhet një nga rrafshinat më të pazakonta të planetit. Reaksioni mes ujit të ngrohtë të kripur dhe shkëmbinjve që ndodhen në thellësi të tokës, prodhon dioksid karboni. Gjeologu Michael McKibben thotë se përzierja e lëngshme përmban masa të mëdha të elementit litium. Që nga vitet 1980, kompanitë i kanë shfrytëzuar burimet gjeotermnale për energji. Nxjerrja e litiumit nga ky solucion do të kërkonte vetëm disa procese të tjera më shumë.

Në ditët e sotme, Shtetet e Bashkuara e marrin pjesën më të madhe të litiumit nga Amerika e Jugut dhe e përpunojnë në Kinë. Profesori Michael McKibben thotë se mënyra e nxjerrjes së litiumit në këtë fushë gjeotermale mund të jetë më pak e dëmshme për mjedisin se format e tjera, të tilla si thyerja e shkëmbinjve të fortë. Pengesa e vetme mbetet teknologjia e përballueshme për ndarjen e litiumit në mënyrë efikase dhe në shkallë masive.

Kompania “Controlled Thermal Resources” është vendosur në zonën që njihet si “Kuzhina e Ferrit” dhe po bën prova për ndarjen e litiumit. Drejtuesi i operacioneve të kompanisë, Jim Turner, thotë se centrali është ndërtuar për të ripërdorur dhe ricikluar sa më shumë që të jetë e mundur, përfshirë ujin që nevojitet në procesin e ndarjes së litiumit. Për prodhimin e një ton litiumi nevojiten mbi 180 mijë litra ujë. Shumica e prurjeve nga lumi Kolorado përdoren kryesisht për zonat bujqësore, që përbëjnë bazën e ekonomisë në këtë luginë.

Frank Ruiz, drejtor i programit “Salton Sea” thotë se ekosistemi, një habitat thelbësor për miliona zogj shtegtarë, është pranë kolapsit. Nxjerrja e litiumit në këtë luginë mund të krijojë një industri prej disa miliarda dollarësh, që nxit tranzicionin nga karburantet fosile. Ky rajon, ndër më të varfërit e Kalifornisë, mund të ketë përfitime të mira ekonomike nga nxjerrja e litiumit. Por banorët thonë se zona ka nevojë për shumë shërbime dhe kryesisht për një qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor. Rajoni ka cilësinë më të keqe të ajrit në vend dhe fëmijët kanë shkallën më të lartë të vizitave në spital me simptoma astme sesa në pjesën më të madhe të Kalifornisë.