Sport

CR7 shpallet golashënuesi më i mirë i ‘Euro 2020’!

Me pesë gola të shënuar, Cristiano Ronaldo ka fituar çmimin “Këpuca e Artë”, si golashënuesi më i mirë në Kampionatin Evropian, ‘Euro 2020’. Superylli portugez shënoi në të gjitha ndeshjet e fazës grupore, megjithatë dështoi të realizonte ndaj Belgjikës në 1/8 e finales kur Portugalia u eliminua.

Përkundër eliminimit, askush nuk ia doli të shënonte më shumë gola se CR7 në turneun të cilin e fitoi Italia duke mposhtur Anglinë në finale. Patrik Schick i Republikës Çeke shënoi po aq gola sa Ronaldo, mirëpo mbeti prapa 36-vjeçarit, për faktin se ky i fundit dhuroi edhe një asistim, si dhe zhvilloi më pak minuta se sulmuesi i Bayer Leverkusenit.

Ndryshe, superylli i Juventusit u bë edhe golashënuesi më i mirë në histori të Kampionateve Evropiane me 14 gola të shënuar. Po ashtu, me 109 gola të realizuar për Portugalinë, ai e barazoi rekordin me legjendën iraniane, Ali Daei, si golashënuesit më të mirë me ekipet përfaqësuese.

Lista me pesë golashënuesit më të mirë të Euro 2020:

Pozita         Lojtari         Minutazhi   Golat Asistimet

1.      Cristiano Ronaldo (POR)      360   5       1

2       Patrik Schick (R.ÇEKE)         404   5       0

3.      Karim Benzema (FRA) 349   4       0

4.      Emil Forsberg (SUE)    371   4       0

5.      Romelu Lukaku (BEL)  444   4       0

Cristiano Ronaldo ka kryesuar listën vjetore të personave të famshëm që paguhen më shumë për postime të sponsorizuara në “Instagram”. Futbollisti fiton deri në 1.6 milion dollarë (1.2 milion £) për të reklamuar një produkt në mediat e tij sociale.

Së fundmi, ylli i Juventusit, ka hapur një hotel në New York. Përmes rrjetit të tij social, Twitter, Cristiano ka ndarë lajmin me fansat dhe ka postuar foto nga ambientet e hotelit. Rikujtojmë, se super sfida Itali-Angli bëri bujë të madhe mediatike dhe kudo po flitet për fitoren spektakolare të Italisë. Tashmë nuk ka më “Football’s coming home” por “Football’s going to Rome”.