Aktualitet

Dëbimi i shqiptarëve, Anglia siguron avion të posaçëm!

Çdo javë, një avion sjell nga Anglia shqiptarë të cilët ndodheshin atje ilegalisht dhe kanë përfunduar dënimet e dhëna. Top Channel ka siguruar pamje që tregojnë momentin kur javën e kaluar, 11 shqiptarë mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Nga Aeroporti Stansted i Londrës, ata janë shoqëruar me 20 roje sigurie të Departamentit të Dëbimeve të Emigrantëve të Paligjshëm, në Ministrinë e Brendshme britanike, Home Office.

Gazeta Daily Mail ka ndjekur këtë operacion dëbimi dhe publikoi fotot e disa prej 11 shqiptarëve të dëbuar, të cilëve iu referohet si “kriminelë shqiptarë”.

Kontaktuar nga Top Channel për më shumë detaje rreth këtyre 11 të dëbuarve, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Londër, deklaroi:

Në mënyrë të rregullt, ne kemi fluturime dëbimi. Të 11 dëbuarit më të fundit  janë persona të dënuar për prodhim e shitje droge dhe emigrantë që hynë ilegalisht. Totali dënimeve dhënë personave të dëbuar është 26 vite e 7 muaj burg. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për deportim në vitin 2021 me palën shqiptare, ne kemi kthyer në Shqipëri më shumë se 1 mijë e 350 shtetas shqiptarë të përfshirë në kriminalitet dhe ata që mbërritën me gomone.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë britanike, në burgjet e shtetit ishull, në paraburgim apo në vuajtje dënimi janë mbi 1 mijë 330 shqiptarë. Secili prej tyre, në një vit i kushton shtetit rreth 46 mijë paund ndërsa në total, 57 milion në 12 muaj.